Përplasje politike, LSDM: Pendarovski do ta dërgojë vendin në BE. VMRO: Jemi shumë larg BE-së, Sofja kushtëzon
Stevo Pendarovski është kandidati fitues i cili ndan vlerat progresive, me vizion të sigurt për të ardhmen e Evropës, thonë nga LSDM. Për këtë subjekt politik, Pendarovski është ai që u siguron qytetarëve atë që e duan, progresin, paqen, qetësinë, mirëqenien dhe integrimin në Bashkimin Evropian.
“Në mandatin e tanishëm, Pendarovski tregoi se çfarë do të thotë president i vërtet për qytetarët. Në mandatin e parë vendi u bë anëtare e Aleancës, ndërsa tani është koha e hapit të ardhshëm. Në mandatin e dytë të Pendarovskit, vendi do të bëhet anëtare e BE-së.”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Por, nga VMRO-DPMNE-ja thonë të kundërtën. Sipas tyre, vendi ynë është shumë larg Unionit dhe se bisedimet i pengojnë kërkesat e vazhdueshme nga fqinji ynë lindor. Në raport dypalësh me Bullgarinë, vendi ynë jep dhe për kthim nuk merr asgjë, akuzojnë nga opozita maqedonase.
“Disa vite më vonë, Maqedonia si asnjëherë më parë është më larg BE-së, ndërsa raportet me Bullgarinë janë edhe më keq nga koha kur Pendrovski dhe LSD-ja thonin se janë keq. Në vend të progresit dhe hapjes së bisedimeve me BE-në, kemi kërkesa të reja dhe diktate.”, – theksoi Mile Levkov nga VMRO-DPMNE.
Politika e gabuar e Pendarovskit dhe LSDM-së e solli vendin tonë në gjendje të mjerueshme, nënvizojnë nga VMRO-DPMNE-ja, të cilët kërkojnë ndryshime politike dhe shteti të kthehet në duart e qytetarëve të vendit.