Përplasje mes “zjarrit” dhe “ahmetistëve”: E gërditshme vardisja e Grubit!
Grupi i zjarrit brenda BDI-së e vlerëson si të gërditshme sipas tyre, vardisjen që bën Artan Grubi ndaj liderit të partisë, Ali Ahmeti me fushatën “Fryma Ahmetiane” dhe “Ahmetist”. Sipas nënkryetarit të BDI-së, Izet Mexhiti sa më shumë që Grubit i kërkohet të mos fshihet pas Ali Ahmetit, ai qëllimisht bën të kundërtën.
“Sa më shumë i themi mos u fsheh pas Ali Ahmetit edhe më tepër hyn nën hijen e tij. Shumë e gërditshme duket vardisja e Artanit pas Ahmetit, si ato që duke të përqafuar të mbysin krejt. Fryma ideologjike zakonisht është vazhdimësi pasi të shkon lideri. Si duket Artanit nuk i pritet shumë dhe filloi të paraqitet si lider i BDI-së”, tha Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.
Këto konstatime Mexhiti i bazon në deklarimet e ministrave të cilët sipas tij janë nën diktatin e plotë të Grubit.
“Në të kaluarën neve kemi thënë se projektet mbajnë vulën e Ali Ahmetit dhe BDI-së. Sot ministrat thonë se projektet kanë vulën e Artanit”, deklaroi Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.
Ndaj fushatës së nisur nga Grubi i cili tha para qytetarëve se ata janë ndjekës dhe mbështetës të frymës Ahmetiane, kanë reaguar figura të ndryshme intelektuale duke e cilësuar si injorancë dhe dëshmi për derexhenë në të cilën ndodhemi.
“Të thirresh në një frymë Ahmetiane për së gjalli të liderit të një partie është më shumë se injorancë e kur sheh se si pleshtat i duartrokasin një akti të tillë mortor, nuk di çka të bëjë njeriu të qesh apo të vajtoj në çfarë derexhe kemi mbërri si komb”, u shpreh Dijana Toska, Gazetare.
Përkundër reagimeve, përveç Grubit edhe eksponentë të tjerë të pushtetit ekzekutiv dhe funksionar të BDI-së kanë përkrahur në rrjetet sociale fushatën Ahmetiane duke i bashkëngjitur fotografi me Ahmetin dhe rekomandimet e tij si lider që të heshtin, të durojnë dhe të veprojnë. /alsat.mk