Perinski në Gjorçe Petrov: Vazhdojmë me zhvillim të balancuar të gjithë komunës për një të ardhme më të mirë për të gjithë
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, së bashku me zëvendësin e tij, Erxhan Selimi, sot kanë vizituar komunën e Shkupit, Gjorçe Petrov, në kuadër të vizitave në terren në komuna “Ku zemra është në shtëpi”. Ata zhvilluan takim pune me kryetarin Aleksandar Stojkoski dhe anëtarët e Këshillit të Komunës, me të cilët shkëmbyen mendime për ndryshimet aktuale të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, folën për sfidat me të cilat ballafaqohet Komuna, projektet e saj aktuale, si dhe gatishmërinë për të marrë pjesë në thirrjen e dytë publike për mbështetje financiare për projekte infrastrukturore, të cilat do të financohen nga buxheti i shtetit.
Sipas ministrit Perinski, Gjorçe Petrov është një nga komunat e Shkupit që përveç zonës urbane, ka edhe një pjesë të konsiderueshme rurale, e cila paraqet sfidë të madhe në ruajtjen e balancës së mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.
“Jam i kënaqur me përpjekjet e kryetarit Stojkoski dhe me gjithë punën që ai bën dhe investon në mënyrë të balancuar si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane, sepse kjo është formula e vetme me të cilën mund të zhvillohet me sukses një vetëqeverisje lokale. Ministria në kuadër të mundësive dhe kompetencave të saj do të vazhdojë të jetë përkrahëse dhe partnere e Komunës, po ashtu ka mbështetje edhe nga Qeveria, kështu që së bashku do të vazhdojmë të ecim drejt një të ardhmeje më të zhvilluar dhe më të suksesshme për të gjithë”, theksoi ministri Perinski.
Në mbledhje u diskutua për decentralizimin fiskal, këshilltarët komunal kërkuan që të shqyrtohet mundësia e futjes së një mekanizmi në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale që do t’i detyrojë këshilltarët të marrin pjesë në mbledhjet e komisioneve komunale, si dhe u propozua që të fillojë nisma për rivendosjen e kufijve të vjetër ndërkomunal, e cila do të zgjidhte disa probleme me të cilat ballafaqohen banorët.
Kryetari Stojkoski shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë dhe Qeverinë dhe përshëndeti iniciativën për vizita në terren nëpër komuna, duke i vlerësuar ato si jashtëzakonisht të rëndësishme, si dhe mbështetjen financiare të qeverisë për realizimin e projekteve komunale në infrastrukturë.
“Komunikimi është duke u intensifikuar dhe është në nivel të shkëlqyer, banorët e Gjorçe Petrovit mund të presin shumë përmirësime të tjera. Më në fund do të arrijmë ekuilibrin mes zonave urbane dhe rurale, me të cilin do të arrihet zhvillim i barabartë në të gjitha pjesët, dhe Gjorçe Petrov në periudhën e ardhshme do të arrijë një nivel tjetër më të lartë, gjë që nuk do të mund të ndodhte pa këtë mbështetje serioze, historike për investime”, tha kryetari Stojkoski.
Ministri Perinski, në kuadër të “Ku zemra është në shtëpi” në Komunën e Gjorçe Petrovit, nesër do të mbajë takim me të gjithë qytetarët, përfaqësues të organizatave joqeveritare, punëtorë të sportit dhe kulturës, të cilët dëshirojnë të japin propozimet dhe sugjerimet e tyre drejt përparimit më të madh të Komunës. Takimi do të mbahet në orën 18:30 në Shtëpinë e Kulturës.