Përfundon takimi i Kurtit me liderët evropianë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në kuadër të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre. As Kurti, as Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve. Në lidhje me mundësinë e ndonjë takimi tjetër gjatë ditës, burime të BE-së thanë se “asgjë nuk përjashtohet”. Kurti dhe Vuçiq u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, presidenti francez dhe kryeministrja italiane. Në takime ishte i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së si dhe presidenti i Këshillit Evropian. Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve. Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.