Maqedoni

Për tre muaj, 483 shtetas të Maqedonisë janë dëbuar nga Gjermania

Numri i personave të dëbuar nga Gjermania këtë vit është dukshëm më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Në tremujorin e parë të vitit 2024, numri i dëbimeve u rrit me një të tretën, shkruan gazeta Neue Osnabrücker Zeitung, përcjell Deutsche Welle.

Gazeta raporton të dhënat e qeverisë gjermane të deklaruara në përgjigjen e një pyetjeje parlamentare nga partia e Majtë. Sipas tyre, nga janari deri në mars të këtij viti, nga Gjermania janë dëbuar 4791 persona ose rreth 34% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në të njëjtën kohë, Maqedonia është në krye të listës së dëbimeve. Në tremujorin e parë të vitit 2024, 483 shtetas të Maqedonisë janë dëbuar nga Gjermania. Gjatë gjithë vitit të kaluar 2023 janë deportuar 1177 shtetas të Maqedonisë. Nga 483 shtetas të dëbuar të Maqedonisë në tremujorin e parë të vitit 2024, 233 ishin gra dhe 227 të mitur.

Në vendin e dytë për nga numri i dëbimeve është Turqia, ku janë kthyer 449 shtetas. Pasohet nga Gjeorgjia (416), Afganistani (345) dhe Serbia (312).