Për gjashtë vite qeverisje është dyfishuar numri i fëmijëve të akomoduar në çerdhe në Gostivar
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari gjatë ditës së djeshme vizitoi njërën nga çerdhet e qytetit të Gostivarit dhe uroi të punonjëset dhe fëmijët një vit të mbarë.
Kryetari Taravari theksoi se kjo çerdhe gjatë pushimeve verore ka pësuar ndryshime të mëdha duke filluar nga vendosja e fasadës së jashtme me efikasitet energjetik, klasa të reja të rregulluara, tualete të rinovuara dhe pajisje për nevojat e çerdhes, ndërkaq investimi ka qenë mbi 4 milionë denarë.
Falë investimeve të vazhdueshme të Komunës së Gostivarit, nga 450 fëmijë në vitin 2017 sot ka 850 fëmijë të akomoduar dhe shumë shpejt edhe 100 fëmijë të tjerë do të akomodohen me çerdhen e re në Gostivar.
Komuna e Gostivarit vazhdimisht ka investuar në infrastrukturën parashkollore dhe shkollore për shkak se investimet në arsim janë investime për të ardhmen.