Për dy ditë 370 të helmuar në Krujë, Manastirliu: Hetimi po kryhet në disa pista
Hetimi epidemiologjik po kryhet në të gjitha pistat dhe nga të gjitha strukturat për të zbuluar shkaqet e helmimit të qytetarë të Krujës. Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga spitali i Krujës, teksa garantoi gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.
Që në momentin e parë që jemi njohur me ngjarjen të gjithë strukturat po kryejnë të gjitha investigimet në të gjitha pistat. Janë marrë të gjitha mostrat dhe analizat laboratorike. Janë një seri pistash. Hetimi epidemiologjik po bëhet në të gjitha aspektet dhe do të kemi një rezultat përfundimtar kur të kemi edhe analizat mikrobiologjike, që zgjat nga 24-72 orë. Janë analiza që duan kohën e tyre. Garantoj që i gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë, por nëse do ketë raste të shtuara është një pavijon në gatishmëri për t’i ardhur çdo qytetari. Hetimi epidemiologjik bëhet në disa pista që po hetohen dhe janë të gjitha strukturat e shëndetësisë, bashkisë e Prefekturës, që raporti përfundimtar të jetë sa më i shpejtë. Janë marrë masat nga Bashkia e Krujës për të gjitha protokollet për të parandaluar edhe gjendje të tjera”.
Sipas ministres Manastirliu nga e diela dhe deri më sot janë paraqitur në spital me të njëjtat simptoma 370 qytetarë, të cilët kanë marrë shërbimin e nevojshëm, ndërkohë që aktualisht ndodhen në spital 30 qytetarë, mes të cilëve edhe adoleshentë dhe fëmijë.
“Situata paraqitet e qetë. Nuk kemi ndonjë qytetar me gjendje të komplikuar shëndetësore. Nga e diela deri më sot 370 qytetarë kanë marrë shërbimin e nevojshëm. Janë vizituar dhe konsultuar sipas protokollit të mjekimit. Gjatë ditës së sotme janë paraqitur 60 qytetarë dhe ata kanë marrë shërbimin dhe janë nisur për në shtëpi se është vlerësuar që situata nuk është rënduar. Gjithashtu ka disa qytetarë që po marrin shërbim. Janë 30 qytetarë, edhe adoleshentë dhe fëmijë”.