Maqedoni

“Për 4.7 vjet do të ndërtohen 110 km autostradë” – me modelin e ri do të ndërtohen 23 km autostradë në vit

Për më pak se 5 vjet do të ndërtohen 110 kilometra autostradë, u zotua drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi, gjatë inspektimit të punimeve që kanë nisur për Korridorin 8. “Jemi në kontakt permanent me projektuesit, me mbikëqyrësit, me kompanitë e angazhuara, gjegjësisht konsorcioumin “Behtel dhe Enka” për të gjitha punët, që sa më shpejtë të bëjmë realizimin. Në këtë mënyrë, këtë metodë të re të ndërtimit të autostradave, për 4.7 vjet, do të ndërtojmë 110 km autostradë që është model i ri nëpërmjet të së cilës ne e ndërruam modelin e ndërtimit të autostradave në Maqedoni. Modeli i vjetër ishte 5.3 km në vit, në këtë model do të ndërtojmë 23 km autostradë në vit”, tha Rustemi. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, u shpreh i kënaqur me dinamikën e ndërtimit dhe rikujtoi se Qeveria ka miratuar projekte infrastrukturore për një pjesë të akseve, të cilat i hapën kontraktuesit një front të gjerë për punë.

“Ajo që kemi bërë deri më tani, përmes ministrisë për transport dhe lidhje dhe qeverisë, tashmë janë miratuar projekte urbanistike për një pjesë të këtyre pjesëve, trasesë korridorit 8 dhe 10d, më saktë aksin Tetovë-Gostivar, një pjesë tashmë ka marrë pëlqim në projektin urbanistik, për çka tashmë po punohet për shpronësimin aty ku është pronë private, aty ku është shtetërore, projektuesit po punojnë për projektet dhe detyrat e tyre për projektimin e autostradës së re”, tha Boçvarski. Sa i përket pakënaqësive të disa banorëve për shpronësimet që po iu bëhen, sidomos atyre të fshatrave Banjicë e poshtme dhe e epërme të Gostivarit, si dhe ankesat për kampin ndërtimor që do të vendoset, kryeministri teknik Talat Xhaferi tha se sot do t’i takojë për t’i dëgjuar.

Korridori 8 pritet të përfundojë në fund të vitit 2027.