Maqedoni

Pendarovski: Në mandatin tim të dytë pres që të anëtarësohemi në BE

Presidenti aktual i vendit dhe njëherit kandidat i LSDM-së për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Stevo Pendarovski deklaroi sot se në mandatin e tij të parë vendi ynë u bë anëtare e plotfuqishme e NATO-së, derisa në mandatin e dytë pret që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Të dielën do të marr pjesë në kongresin e LSDM-së për t’i falënderuar për mbështetjen time. Bëhet fjalë për kandidaturë qytetare, andaj i ftoj gjithë qytetarët duke filluar nga 3 marsi që të japin mbështetje për kandidaturën time. Pas meje kam mandat pa asnjë gabim strategjik dhe pa asnjë aferë korruptive dhe as edhe një rast të nepotizmit apo konflikt interesi. Në mandatin time të parë u bëmë anëtare e NATO-së në mandatin time të dytë pres që të bëhemi pjesë e BE-së”, tha Pendarovski i cili u ndal edhe tek dy shtyllat kryesore në vend që sipas tij janë Marrëdhëniet ndëretnike dhe integrimi euroatlantik.

“Marrëveshja e Ohrit ka përmbushur rolin e saj historik, dhe ka përforcuar dhe jo varrosur kohezionin e brendshëm të Maqedonisë. Më së shumti për shkak të marrëveshjes kornizë u bëmë shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e Prespës mundësoi anëtarësimin tonë në NATO”, tha Pendarovski.