Maqedoni

Pendarovski: Disa politikan më kanë konsultuar për mundësinë e amnistimit të Gruevskit

VMRO: PRESIDENTI TË TREGOJË CILËT JANË ATA POLITIKANË

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pranuar se para disa muajve, është konsultuar nga disa politikanë nëse do të amnistonte ish kryeministrin Nikolla Gruevski. I pyetur gjatë një emisioni në TV 24, se a do të amnistonte Gruevski, nëse i dorëzohet iniciativë për këtë, ai u shpreh në mënyrë të prerë se nuk do ta bënte asnjëherë këtë.

“Që të jem më eksplicit, para shtatë tetë muajsh, në një nivel jo formal, disa aktorë të skenës politike më konsultuan rreth kësaj mundësie, se çfarë mendoj rreth kësaj mundësie. U thash në mënyrë të prerë se, nuk do ta bëja asnjëherë atë, sepse ajo do të ishte rrënim i shtetit ligjor. Ai lloj i amnistimit është në Kushtetutë, por unë nuk mendoj se jam sulltan apo monark i këtij shteti që për vepra të tilla penale, të gjykojë vet dhe të vendosi çfarë është e drejtë dhe çfarë jo” – tha Pendarovski.

Nga VMRO DPMNE-ja kanë reaguar ndaj kësaj deklarate, duke kërkuar nga presidenti të tregojë detaje se cilët politikanë e kanë konsultuar për këtë çështje.

“Pendarovski që sot duhet të përgjigjet se kush ka kërkuar amnistim nga ai? Pendarovski thotë se, citoj, “është konsultuar nga disa aktorë politikë të skenës politike” për amnistim dhe për këtë, tani duhet të jetë më preciz dhe i qartë, të theksoj kush nga politikanët e ka konsultuar Pendarovskin para disa muajve për amnistim” – tha Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

Kujtojmë se, së fundmi, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, të cilat, mes tjerash, parashihen edhe ulje të dënimit për funksionarët që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Me këtë, Gruevski u lirua nga dënimet për rastin “TNT” dhe “Trajektorja”, ndërsa për një vit do të lirohet edhe nga rasit “Tanku”. /KlanMacedonia/