Maqedoni

Peker përmes videos pohon se është takuar me Zaevin

Biznesmeni turk të cilin e kërkon Interpoli, Sedat Peker publikoi video ku pohon se është takuar me kryeministrin Zoran Zaev. Nga Kabineti i kryeministrit përgënjeshtrojnë. Peker për të cilin VMRO DPMNE publikoi se ka marrë pasaportë të Maqedonisë me emrin Xhadin Ademovski, në videon e njëjtë zbulon se njihet me të gjithë liderët partiak. Peker e komentoi dëbimin e tij nga vendi kurse shkak për këtë, thotë se është leja e skaduar e qëndrimit.

Unë, Sedat Pekeri, e njoh kryeministrin e Maqedonisë, kam qenë në shtëpi te ai. I njoh të gjithë liderët e partive – tha Sedat Peker.

Alsat para një muaji pyeti në Qeveri, nëse Zaev ka pasur takim me Pekerin. Sikur atëherë, edhe sot ata mohojnë të ketë pasur takim të tillë. Por, sot nuk u përgjigjën në pyetjen nëse Qeveria është e informuar për takim mes Zaevit dhe Pekerit. Përsëritën se Zaev në cilësinë e kryeministrit, zyrtarisht nuk është takuar me të.

Kryetari i Qeverisë nuk ka pasur takim me personin për të cilin jeni duke pyetur – njoftojnë nga Qeveria.

Emri i Sedat Pekerit në opinion doli së bashku me aferën me pasaportat e falsifikuara. Kundër Pekerit, i cili në Turqi konsiderohet si kryesues i një grupi kriminel, ka procedura penale. Në shtëpinë e tij në Stamboll para një muaji, policia kishte kryer bastisje. Dhe derisa Interpoli e kërkon Pekerin për lidhje me kriminelë ndërkombëtarë, në vendin tonë të martën vazhdon gjykimi për pjesëtarët e sektorit të pasaportave pranë Ministrisë së Brendshme, që kanë lëshuar 214 pasaporta të falsifikuara. Pjesa më e madhe e grupit tashmë ka pranuar fajin për dhënien e dokumenteve të rrejshme për kriminel të rajonit. Për shkak të pranimit të veprës, të akuzuarit do të vuajnë dënime me burg më pak se tre vjet.