Pasi e pranoi LSDM-ja edhe BDI ndërroi mendimin, tani e pranon rezolutën e VMRO-DPMNE-së
BDI dhe LSDM e kanë pranuar rezolutën e VMRO-DPMNE-së për vijat e kuqe të Maqedonisë në negociata me Bullgarinë, deklaroi kryeministri Zoran Zaev. Por, shton se në dokumentin e Rezolutës duhet të vendoset emri i ri kushtetues i vendit dhe të rregullohen disa formalitete.
“BDI e ka pranuar Rezolutën e VMRO-DPMNE-së. Ne e kemi diskutuar, por në atë duhet të ndryshohet emri kushtetues, duhet të përcaktohen disa formalitete në Rezolutë që të jetë e pranueshme për të gjithë. Edhe njëherë t’ia dëshmojmë Mickoskit se edhe ai që ka problem gjuhën dhe identitetin maqedonase, përmes një rezolute të përbashkët, ne do ta konfirmojmë atë sepse është e padiskutueshme për të gjithë”, pohoi kryeministri Zoran Zaev.
Artan Grubi nga BDI thotë se sa i përket gjuhës, shqiptarët më së miri e dinë se çka do të thotë të të kontestohet përdorimi i saj, andaj japin mbështetje për këtë Rezolutë.
“Absolutisht solidarizohemi me bashkëqytetarët tanë maqedonas, sepse ne më së miri e dimë se çka do të thotë të të kontestohet përdorimi i gjuhës, kulturës, historisë e kështu me radhë. Vlerësojmë se me metoda të shekullit 19, nuk mund të zgjidhen çështje të shekullit 21″, deklaroi Artan Grubi nga BDI.
Pas disa ditësh heshtje, sot me qëndrim rreth Rezolutës doli edhe Aleanca për Shqiptarët. As nuk thonë se e mbështesin ose se nuk e mbështesin, shtojnë se presin që të dëgjojnë argumentet e palëve në Kuvend dhe aty t’i shpalosim qëndrimet e tyre.
“Debati rreth temave të këtilla nuk mund të zhvillohet përmes konferencave për shtyp nga selitë partiake, por nevojitet një debat i mirëfilltë në institucionin më të lartë ligjvënës në vend. Të dëgjojmë të gjitha detajet, argumentet e palëve në Kuvend dhe aty do shpalosim edhe argumentet dhe qëndrimet tona”, thonë nga ASH.
Për Rezolutën përsëri reaguan nga VMRO-DPMNE-ja. Kërkojnë që LSDM dhe BDI të mos gjejnë justifikime, por ta mbështesin Rezolutën në Kuvend.
“LSDM dhe BDI të mos gjejnë justifikime, por ta mbështesin Rezolutën. Pa sjellje e Rezolutës, Zaev nuk guxon të negocioj me Bullgarinë. Ndërsa ai tashmë po e lë të kuptohet se përmes një procedure parlamentare do të bllokojë Rezolutën dhe kështu punon vetëm në dëm të Maqedonisë”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Në Rezolutë e cila ka të bëjë me vijat shtetërore në negociatat me Bullgarinë, kërkohet që bisedimet të zhvillohen në mënyrë të barabartë dhe parimore dhe të respektohen njohuritë e shkencës maqedonase, rreth autoktonisë së gjuhës maqedonase dhe vazhdimësisë së saj historike, gjuhësore dhe kulturore.