Pas Veriut të Kosovës, a po provokojnë serbët edhe në Kumanovë? Një turmë përndjek dy të rinj shqiptarë?! (Video)
Policia është duke punuar në identifikimin e personave të maskuar dhe të armatosur të cilët më 14 nëntor pas mesnate në Kumanovë kishin në shënjestër sulmin ndaj dy të rinjve, Besnik Shabani dhe Elion Zeqiri.
Incidenti i ndodhur në lagjen “Orta Bunar” të Kumanovës sipas policisë është duke u hetuar në disa pista, por të paktën tre motive mbeten pa shpalosur për aq kohë sa policia nuk i vërteton dhe dokumenton të njëjtit. Policia zyrtarisht thotë se po punohet mbi bazën e një denoncimi të vetëm.
“Një 20 vjeçar rreth orës 01:20 minuta ka denoncuar se derisa po qëndronte në veturë i shoqëruar nga një person tjetër në rrugën “Karll Marks”, disa persona me gjësende të forta ia kanë dëmtuar veturën. Deri sa është arratisur nga vendi ku ka qenë i sulmuar ka shkaktuar një aksident ndaj një veture të ndaluar. Po punohet për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.
Denoncuesi mësohet t’i ketë thënë policisë se nuk ka pasur problem me ndonjë individ ose grup dhe nuk i njeh sulmuesit. Grupi i personave të organizuar kanë ardhur në vendin e ngjarjes me tre vetura përmes rrugës “Lube Gaçev” në drejtim të kundërt me rrugën njëkahëshe. Pas sulmit, ndjekin veturën me të cilën largohet denoncuesi përgjatë rrugës “Karll Marks” deri në afërsi të shkollës fillore “Bajram Shabani”. Pasi i ka humbur gjurmët ndjekësve, mësohet se denoncuesi është adresuar në polici ku edhe ka dëshmuar sulmin. Për shkak të shqetësimit është adresuar edhe në kontroll mjekësor.
Disa opinionistë shqiptarë bëjnë paralele mes sulmeve dhe provokimeve serbe në Veri të Kosovës dhe provokimet në Kumanovë, duke pasur parasysh se Kumanova është komuna me më shumë serbë në Maqedoninë e Veriut, por ku disponimi proserb është mjaft prezent edhe te maqedonasit.
Dyshimet janë shtuar për shkak se një incident paraprak raportohet të ketë ndodhur në “Lagjen e Trimave” ku një grup i personave, njëri prej tyre i kapur në flagrancë, kanë fshirë grafitë të caktuara dhe kanë mbishkruar “Kosova është Serbi”. Derisa policia po punon për zbardhjen e rastit, te banorët e lagjes “Orta Bunarë” është ngritur dyshimi për sigurinë e tyre. Si u organizua ky grup? Kë kishte për qëllim? A ishte një porosi? ose gjithçka ndodhi rastësisht, në mesnatë brenda një lagje të pastër etnike shqiptare.
Videon mund ta përcillni në këtë Link.