Pas vendimeve të KShZ-së, padi në Gjykatën Administrative
Gjykata Administrative ka bërë të ditur se koalicioni VLEN ka dorëzuar padi kundër KShZ-së, lidhur me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare.
Padi ndaj anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë paralajmëruar edhe nga koalicioni “Fronti Evropian”, pasi që sipas tyre, në mënyrë të padrejtë, KShZ-ja ka pranuar 7 ankimime, edhe atë 6 ankimime për vendvotime në njësinë e pestë zgjedhore dhe një në njësinë e gjashtë zgjedhore.
Se a do të ketë rivotim në disa vendvotime edhe atë më datë 22 maj, do të kuptohet nga vendimi i Gjykatës Administrative dhe nga simulimi i KShZ-së, se rivotimi a do të mund të ndikonte në numrat e deputetëve.
“Po i presim vendimet e Gjykatës Administrative, lidhur me paditë të cilat i kanë dorëzuar, parashtruesit e listave të deputetëve. Dhe pasi Gjykata Administrative të sjellë vendim dhe i njëjti dorëzohet deri tek KShZ-ja. Ky Komision do të caktojë seancë me anëtarët e KShZ-së, ku do të bëhen publike rezultatet zyrtare të këtyre njësive zgjedhore për të cilat kishte lëndë gjyqësore, ndërsa për rastet tjera ku Gjykata Administrative do t’i vërtetojë vendimet të cilat KShZ-ja i ka miratuar, në lidhje me ankimimet, Komisioni më pastaj do të bëjë simulimin, se a thua vallë numri i regjistruar i personave me të drejtë vote, do të mund të ndikonte në ndarjen e numrit të mandateve.”, – deklaroi zëdhënësja e KShZ-së, Radica Todorovska Aleksovska.
Sipas informacioneve, nëse votohet në 7 vendvotime, teorikisht është e mundur që VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni LDP, partnere e LSDM-së, të fitojnë nga një deputet më shumë, ndërsa “Fronti Evropian” të humbasë dy. Gjykata Administrative ka 48 orë për të vendosur për kundërshtimet.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se rezultatet përfundimtare zyrtare do t’i shpallin menjëherë ose më së voni brenda 24 orëve pas përfundimit të të gjithë procedurës.