Maqedoni

Pas SHBA-ve edhe BE së shpejti me “Listë të Zezë” me emra funksionarësh nga Maqedonia e Veriut

Nga 36 projekte të BE-së, për të cilat ekzistojnë dyshime se janë realizuar me keqpërdorime në Ballkanin Perëndimor, gjysma, respektivisht 18 kanë të bëjnë me Maqedoninë e Veriut, transmeton Lideri.mk.

Siç merret vesh, bëhet fjalë edhe për projekte të OJQ-ve, por edhe të institucioneve qendrore e lokale shtetërore.

Kjo mund të sjellë krijimin e një “liste të Zezë” joformale me emrat e keqpërdoruesve nga ana e BE-së, ku pritet të gjenden edhe emra të tanishëm dhe të me herëshëm të politikës.

Por për dallim nga “Lista e Zezë” amerikane, personat nga “Lista e Zezë” e BE-së do të ulen edhe në bankat e të akuzuarve, transmeton Lideri.mk.

Nëse hetimet e Shërbimit evropian kundër mashtrimeve – OLAF rezultojnë me dyshime për aktivitete kriminale, ato lëndë do të përcillen në Prokurorin Publike dhe për atë rast presim që prokurori publik të marrë veprimet me kohë dhe ato veprime ne do t’i ndjekim me vëmendje, deklaroi dje në Manastir Dejvid Gir, shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të MIA-s.

Ambasadori Gir konfirmoi se Shërbimi evropian kundër mashtrimeve (OLAF) me seli në Bruksel ka përgatitur rekomandime për institucionet evropiane dhe autoritetet e RMV-së në lidhje me keqpërdorimin e fondeve evropiane.

“Kjo tregon se sa seriozisht BE-ja qaset dhe kontrollon mënyrën se si shpenzohen paratë nga tatimpaguesve evropianë në Maqedoninë e Veriut. Dua të theksoj se OLAF është një organ shum serioz, që kryen hetime se si shpenzohen paratë e BE-së. Unë e konfirmoj numrin, por nuk i di detajet në lidhjet me vetë hetimet. Mund të konfirmoj se ka subjekte të ndryshme që janë pjesë e atyre hetimeve. Nëse hetimet e OLAF-it rezultojnë me dyshimet për veprimtari kriminale, ato raste do t’i përcillen Prokurorisë Publike, dhe në këtë rast presim që Prokurori publik të ndërmarrë veprime me kohe dhe ne do t’i ndjekim ato veprime nga afër”, tha ambasadori Gir.

Gjatë vizitës në Manastir, ambasadori Gir theksoi se njerëzit që keqpërdorin paratë e tatimpaguesve evropianë, në fakt po i mashtrojnë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Shërbimi evropian kundër mashtrimeve (OLAF), përgjegjës për revizionin e fondeve për vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe për shtetet tjera shfrytëzuese, në pesë vitet e fundit hapi 36 hetime për vendet nga Ballkani Perëndimor për keqpërdorime ose parrregullsi të lidhura me fondet evropiane, nga të cilat 18, siç transmetoi Euronjuz Albania, i referohen keqpërdorimit të fondeve evropiane në vend. OLAF ka përgatitur shtatë rekomandime për institucionet evropiane dhe autoritetet e RMV-së. Nga shërbimi nuk ka informacione shtesë për hetimet konkrete, por është publikuar se për fondet evropiane, të cilat janë shpenzuar tërësisht ose pjesërisht në nivel kombëtar ose rajonal në vitin 2022, në Maqedoni janë hapur katër hetime, ndërsa tre janë mbyllur me rekomandime të duhura./Lideri.mk