Maqedoni

Pas helmimit në çerdhen e Kumanovës, Ministria sjell vendim – majonezi nuk do t’u shërbehet më fëmijëve!

Pas rastit, ku fëmijë u helmuan në një çerdhe të Kumanovës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka marrë vendim: do të revidojë të gjitha normativat dhe standardet e ushqimit të fëmijëve në çerdhet e Maqedonisë së Veriut, do të përgatiten receta të reja dhe majonezi nuk do të jetë pjesë e tyre.

Qëllimi siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, është të “avancohen të njëjtat dhe të jenë në pajtim me nevojat për rritje dhe zhvillim të drejtë të fëmijëve”.

“Nën revizionin e tërësishëm do të jenë edhe recetat për përgatitje të shujtave për fëmijë të cilat shfrytëzohen në institucionet për edukim të fëmijëve, me qëllim që të avancohen dhe të jenë në përputhje me hulumtimet më të reja për ushqim të shëndetshëm, por edhe për nevojat e fëmijëve në pjesën e vlerave nutricioniste”, thuhet mes të tjerash në njoftim, transmeton TV21.

Njoftojnë, se udhëzimet për shujtat fëmijërore në çerdhe janë përgatitur nga Enti republikan për amvisëri, duke bërë me dije “se për fat të keq një kohë të gjatë nuk janë ndryshuar”.

Recetat e reja, premtojnë se do të përgatiten nga ekspertë të fushës, ndërkaq majonezi nuk do të shërbehet më në çerdhe.

Sa i takon rastit konkret, helmimin në çerdhen “Angell Shtajçe” në Kumanovë, tregojnë se informacionet fillestare të vërtetuara në Qendrën për shëndet publik, tregojnë se “helmimin ka ardhur nga majonezi i prodhuar në fabrikë i cili ka qenë në paketim origjinal”.

“Majonezi aspak nuk është shfrytëzuar si ushqim primar, por në sasi të vogla nën 10%, si shtesë gjatë përgatitjes të pashtetës së freskët nga tuna dhe mishit të pulës. Me udhëzimet e reja për përgatitje të ushqimit, majonezi do të hidhet poshtë në tërësi”, njoftojnë nga Ministria.

Premtojnë, se për rastin konkret do të ketë edhe përgjegjësi.