Pas deklaratës së Osmanit shtohet presioni i opinionit bullgar mbi kryeministrin Petkov
Çdoherë i jemi përmbajtur marrëveshjes së koalicionit dhe pozitës aktuale kornizë të Bullgarsë për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nuk ka kurrfarë dokumenti që u nënshkrua nga pala bullgare, deklaroi sot në Stara Zagora, kryeministri bullgar Kirill Petkov, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja.
Deklarata e Petkovit vjen pas deklaratës së djeshme të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani se ka dokument si bazë për marrëveshjen me Bullgarinë, të pranueshëm për Maqeodninë e Veriut, por ende nuk ka përgjigje nëse ai është i pranueshëm edhe për Sofjen, duke potencuar se kur të ketë pëlqim lidhur me cilindo dokument, si bazë për marrëveshje me Bullgarinë, para se të vendoset nënshkrimi, do ta informojë opinionin dhe deputetët.
Petkov, i cili nesër vjen në vend, tha se “vizita e tij është që ta tregojë detyrën e fuqishme të Qeverisë bullgare që ta përkrah bashkësinë bullgare në Maqedoni”.
“Besoj se në këtë moment edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e vetëdijshme për atë se çfarë prioriteti është kjo për Bullgarinë dhe bashkarisht punojnë në ngritjen e prioritetit të këtyre njerëzve në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut”, tha Petkov.
Sipas tij, fakti se nesër do të jenë aq shumë njerëz nga parti të ndryshme aty, tregon një përkrahje për bashkësinë bullgare.
“Në të njëjtën kohë shpresoj se atë që të gjithë e tham, se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë pjesë e Evropës, se nga të dy palët do të ketë lëvizje pozitive në atë drejtim”, tha Petkov.
Kryeministri bullgar Petkov, së bashku me nënpresidenten e Bullgarisë, Ilijanana Jotova, nesër do ta vizitojnë Manastirin, në organizim të ambasadës bullgare në vend.
Shefi i diplomacisë Bujar Osmani dje ka informuar se është duke u organizuar takim i kryeministrit Dimitar Kovaçevski ose ndonjë përfaqësuesi tjetër qeveritar me delegacionin bullar në kuadër të largpërçuesit të planifikuar të REK Manastir që do të lidhë Manastirin me Elbasanin.
Paraprakisht, në përgjigjen e MPJ-së bullgare dërguar në BGNES, në lidhje me deklaratën e djeshme të Osmanit se ekziston dokument i miratuar nga pala e Maqedonisë së Veriut dhe pritet përgjigje nga autoritetet në Sofje, thuhet se “gjatë një takimi në shkurt, Bullgaria e informoi Republikën e Maqedonisë së Veriut se propozimet e tyre nuk janë të pranueshme dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë”.
“Ekziston dialog aktiv ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për të gjetur zgjidhje për çështje të hapura politike. Takimi i fundit i ekspertëve të ekipeve të ministrive u mbajt më 11 shkurt të këtij viti, ku u diskutua për propozimet e fundit të RMV-së, të dërguara zyrtarisht në dhjetor të vitit 2021 në përgjigje të propozimeve të palës bullgare, të dorëzuara në raundin e tretë të konsultimeve të ekspertëve të mbajtura në vitin 2021 në Shkup. Në takimin e shkurtit, pala bullgare i njoftoi përfaqësuesit e RMV-së se propozimet e tyre nuk janë të pranueshme dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së bullgare.
Ministria shton se “kur të ketë gjasa për përparim thelbësor, pala bullgare do të dërgojë kundërpropozimin e saj për të afruar qëndrimet”.