Pas aksidentit fatal në Japoni, SHBA ndalë përkohësisht operimin e gjithë flotës së helikopterëve Osprey
SHBA ka ndalur të gjithë flotën e saj të helikopterëve V-22 Osprey, pasi një raport tha se një përplasje në brigjet e Japonisë javën e kaluar nga e cila humbën jetën tetë anëtarë të ekuipazhit, ishte si pasojë e një mosfunksionimi të fluturakes.
Siç raporton BBC, zyrtarët e Forcave Ajrore dhe Marinës, thanë se kanë ndërmarrë hapin “për të zbutur rrezikun ndërsa hetimi vazhdon”.
Gjithashtu është bërë e ditur se jo të gjitha mbetjet e pjesëtarëve të shërbimit që humbën jetë në aksident ajror janë gjetur. E Japonia ndoqi shembullin e SHBA-ve, duke ndalur gjithashtu flotën e saj prej 14 helikopterëve Osprey, pas rrëzimit të një të tillë.
Japonia është i vetmi komb tjetër i njohur për operimin e Ospreys, të cilët funksionojnë si helikopter ashtu edhe si aeroplan me helikë.
Forcat Ajrore thanë se flota amerikane pritet të qëndrojë në tokë derisa të përfundojë hetimin, duke mos specifikuar se sa kohë mund të zgjasë.
“Ndalesa do të sigurojë kohë dhe hapësirë për një hetim të plotë për të përcaktuar faktorët dhe të jap rekomandime për të siguruar që flota e Forcave Ajrore CV-22 të kthehet në operacionet e fluturimit”, u tha nga Komanda e Operacioneve Speciale të Forcave Ajrore në një deklaratë të mërkurën.
Në kohën e rrëzimit, Osprey kishte qenë në një fluturim stërvitor nga një bazë ajrore e Korpusit Detar të SHBA në prefekturën Yamaguchi, dhe ishte nisur drejt bazës ajrore Kadena në Okinaëa.
Dëshmitarët okularë thanë se fluturakja bëri lëvizje të pakontrolluara dhe u përfshirë nga zjarri përpara se të rrëzohej në det. Gjashtë trupa janë gjetur nga tetë sa ishin në fluturake në kohën e aksidentit.