Pas 16 viteve BDI në Kumanovë pritet të shkojë në opozitë
Komuna e Kumanovës ende nuk ka formuar shumicën e këshillit komunal, ndërsa tashmë emërimi i drejtorëve të ri ka filluar. Pritet që pas 16 viteve këshilltarët e BDI-së të jenë në opozitë. Por këshilltari nga ASH Huzeir Mustafi thotë se dëshira e BDI-së është që të vazhdojnë të mbajnë qeverisjen lokale.
“Normal është evidente dëshira e tyre për ta mbajtur pushtetin, qeverisjen lokale me të cilën qeverisin që nga viti 2005, por diçka zyrtare nuk kemi në këtë drejtim përpos dëshirave. Informatat tona janë se nuk do të jenë pjesë e qeverisjes lokale”, tha Huzeir Mustafi nga ASH.
Nga ana tjetër Arta Mehmeti Ademi nga BDI thotë se me shumë gjasa BDI do të mbetet në opozitë.
“Edhe pse në zgjedhjet e 17 tetori BDI doli parti fituese tek shqiptarët ne jemi përfaqësuesit legjitim i shqiptarëve në Komunën e Kumanovës të gjithë e din faktin se Dimitrievski bëri memorandum bashkëpunimi me ASh dhe AAA te blloku shqiptarë si dhe me VMRO-Levicën te blloku maqedonas dhe deri në këtë moment nuk kemi indikacione për ndonjë koalicion të mundshëm, me të gjitha gjasat BDI në Kumanovë do të veproj si opozitë”, potenoi Arta Mehmeti nga BDI.
Ndryshe Kryetari Maksim Dimitrievski në raundin e dytë gjatë zgjedhjeve kishte lidhur marrëveshje me partitë në koalicion Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën, në bazë të së cilës dy drejtori do t’i takonin këtij koalicioni. Për ta formuar shumicën Dimitrievskit i duhen 16 këshilltarë, ndërsa ai është i bindur se do të ketë edhe më shumë. Ai për TV21 tha se marrëveshja me Aleanca dhe Alternativën do të respektohet, ndërsa shtoi se të mirëseardhura janë të gjitha subjektet tjera politike, të cilat kanë synim të sinqertë për të punuar në interes të qytetarëve.