Maqedoni

Partitë në pushtet përgatiten për të ndihmuar njëra-tjetrën përballë opozitës

LSDM-ja sipas nevojës do të koalicionojë me partitë partnere në Qeveri. Kryetari i socialdemokratëve Zoran Zaev thotë se me partitë bashkëqeverisëse kanë marrëveshje që të mbështesin kandidatët të cilët do të kenë përkrahje më të madhe nga qytetarët. Ai thotë se marrëveshja për zgjedhjet lokale nuk do të cenojë stabilitetin e Qeverisë.

“Siç e shihni edhe pse BESA është partner më i vogël se LSDM dhe BDI, japim mundësi, gjithkund garon, do të kenë mundësi qytetarët të zgjedhin për kandidatët më të mirë. Dhe kush nga partnerët tonë të koalicionit, LSDM, BDI, BESA, PDSH dhe partitë tjera më të vogla do të marrë mbështetje më të madhe nga qytetarët për kandidatin e tij, atëherë të gjithë do ta mbështesim në rrethin e dytë, kundër kandidatit të opozitës.”- deklaroi Zoran Zaev, LSDM.
Ndërsa nga BDI thonë se koalicionime me LSDM-në do të bëjnë vetëm në rrethin e dytë.

Jemi shumë të qartë që koalicione do kemi në rrethin e dytë përkundër asaj që partitë opozitare shqiptare kanë vendosur që të rreshtohen prapa VMRO-DPMNE-së, duke u shndërruar në vazalë të asaj partie, edhe në bashkëpunim në rrethin e parë edhe përkundër deklaratave të tyre shumë të qarta që kundërshtonin një koalicionim të tillë të mundshëm me partinë që i dhunoi në të kaluarën.- pohoi Artan Grubi, BDI.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se LSDM-ja dhe partnerët e saj kanë qasje joserioze ndaj votuesve, dhe pavarësisht bashkëpunimeve në zgjedhje, nuk do të kenë sukses.

VMRO-DPMNE

Koalicioni i tyre është kriminel dhe lufton vetëm për interesat biznesore të individëve të pushtetit, prandaj kanë edhe kaq shumë mosmarrëveshje rreth kadidatëve. Sa i takon koalicionit VMRO-DPMNE me partitë shqiptare, shumë shpejt opinioni dhe qytetarët do të kenë ofertë fitimtare e cila do ta dërgojë LSDM-në në opozitë.

Ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët nuk japin detaje të reja rreth koalicionimeve parazgjedhore, ndërsa thonë se përveç kandidaturave të cilat tashmë janë bërë publike, për kandidaturat e reja, kuvendet e degëve do të mblidhen edhe ditët në vijim dhe do të zgjidhin kandidatët për kryetar të komunave.

Partitë tashmë kanë publikuar një pjesë të mirë të emrave të kandidatëve për këshilltarë komunash dhe vazhdojnë analizat për pjesën e mbetur.