Opinion

PARTI TË REJA TË SHQIPTARËVE NË VEND, NDËRSA VOTUESIT NË KURBET!

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale do të ketë një ballafaqim të drejtpërdrejtë politik mes opozitës dhe qeverisë në bllokun politik shqiptar! Lidhja Evropiane për Ndryshim ka mbështetje të dyfishtë. Në njërën anë VMRO-DPMNE me deklaratat e saj se “koalicioni me BDI-në është i pamundshëm” dhe nga ana tjetër nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Koalicioni shqiptar opozitar tregon se ka potencial të përballet me BDI-në, e cila ende nuk ka vendosur nëse do të jetë në koalicion parazgjedhor me LSDM-në, kurse Aleanca e Shqiptarëve u bën thirrje atyre që të ikin sa më larg partisë së Mickoskit.

Lidhja Demokratike, Alternativa dhe Besa u bashkuan në një koalicion politik me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim. E përbashkëta e të gjitha këtyre partive është se liderët e tyre, në periudhën e kaluar, në mënyrë direkte apo indirekte kanë qenë të afërt me Bashkimin Demokratik për Integrim, ndërsa Izet Mexhiti për 15 vjet ka qenë njeriu i dytë i BDI-së.

Në mjedisin politik shqiptar, identifikimi me Evropën, integrimin dhe vlerat evropiane dhe demokracinë perëndimore jo vetëm që nuk është e re, por është një frazë e shpeshtë në ligjërimin politik.

Lidhja është evropiane edhe për një arsye pragmatike politike, pra është një sinonim i frontit të shpallur evropian, i cili do të përbëhej nga partitë në pushtet, pavarësisht nëse do të vepronin në një koalicion të përbashkët parazgjedhor. Fjalori politik i partive në pushtet është i mbushur me gjithçka që lidhet me Evropën, megjithëse praktika ka treguar se zbatohen shumë pak standarde evropiane. Dëshmi për këtë pretendim janë (mos)sundimi i ligjit dhe (mos)lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një duel politik mes lidhjes opozitare evropiane dhe frontit qeveritar

raportin e fundit të Komisionit Evropian vihet re se ndryshimet në Kodin Penal janë bërë në Kuvend me procedurë të shpejtë, të cilat kanë mundësuar që një numër i madh ish-funksionarësh që kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë kryer krime të shpëtojnë nga ndjekja penale, respektivisht të vjetërsohen veprat e tyre penale.

Po ashtu edhe rastet e pazgjidhura në të cilat kanë vdekur një numër i madh qytetarësh si rastet: Besa trans, Durmo Tours në Laskarcë, spitali modular në Tetovë dhe sigurisht kapaku i të gjitha rasteve: rasti në Klinikën e Onkologjisë!

Pikërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit është prioriteti kryesor i koalicionit opozitar shqiptar.

Përveç këtyre përcaktimeve, koalicioni do të mbështesë edhe rrugën e vendit tonë drejt integrimit evropian.

Në procesin e konsolidimit në bllokun shqiptar, koalicioni u mbështet shumë nga vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili gëzon një reputacion të lartë te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht pas ngjarjeve në veri të Kosovës, ku qeveria në Prishtinë po përpiqet të zgjerojë kontrollin.

Mbështetje për opozitën nga Mickoski dhe Kurti

Koalicioni i Mexhitit, Kasamit dhe Gashit, përveç majtistit të Kosovës Kurti, ka mbështetje edhe nga e djathta maqedonase VMRO-DPMNE, e cila është e vendosur që nuk do të ketë koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha se “Opozita e bashkuar në mesin e partive politike shqiptare ka një kapacitet të madh për ta mposhtur BDI-në. Pas 20 vitesh, BDI-ja duhet të kalojë 4 vite në opozitë“.

Kjo i hap rrugën një koalicioni paszgjedhor me bllokun shqiptar në opozitë, i cili në fakt i siguron atij një pozicion më të favorshëm te votuesit. Po të kemi parasysh se një pjesë e madhe e elektoratit është e orientuar në mënyrë klienteliste, perceptimi i koalicionit të ri të mundshëm qeveritar do t’i sigurojë disa deputetë më shumë. Edhe pse VMRO-DPMNE kërkon 61 deputetë, ajo është e vetëdijshme se nuk mund të formojë qeveri pa partitë e shqiptarëve, gjë që automatikisht i hap rrugën “aleatëve evropianë” për të hyrë në qeverinë eventuale të Mickoskit.

Burimi: mkd.mk

Çelësi i suksesit apo dështimit të këtij koalicioni, megjithatë, janë ndryshimet kushtetuese, pra rruga europiane! Pyetja është, nës fiton, pas zgjedhjeve, VMRO-DPMNE do t’i miratojë ndryshimet apo do ta anulojë marrëveshjen me Bullgarinë? Racionalisht, e para do të ndodhte, por gjithsesi jemi në Ballkan, që do të thotë se çështja nuk është vetëm e natyrës racionale, por më shumë e një natyre emocionale.

A do të arrijë Lidhja Evropiane rezultatin e Aleancës dhe Alternativës?

Në pamje të parë, sipas kapaciteteve kadrovike dhe politike, Lidhja Evropiane është më me ndikim te votuesit sesa blloku opozitar i përbërë nga Aleanca e Shqiptarëve, Lëvizja për Rilindje Kombëtare dhe Partia e Unitetit, dhe duhet të investojë shumë angazhim, përpjekje dhe energji për ta përsëritur apo tejkaluar rezultatin e bllokut opozitar shqiptar në zgjedhjet e fundit, i përbërë nga Aleanca e Shqiptarëve dhe partia Alternativa, e cila fitoi 12 deputetë, kurse nga ana tjetër BDI-ja fitoi 15.

Lidhja Evropiane përballë Frontit Evropian do të jenë dy blloqet që do të konkurrojnë për më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme dhe sigurisht që të dyja koalicionet do të kishin fituar një numër më të madh votash nëse do të kishte vota në vendet ku jeton diaspora shqiptare. Ndërkohë që i dëshmojnë njëri-tjetrit se cilët janë evropianë më të mëdhenj, çdo ditë të rinjtë shqiptarë nga Maqedonia mbushin autobusët dhe avionët për në Evropë dhe SHBA!

Nga ana tjetër, Aleanca e Shqiptarëve nuk iu bashkua platformës evropiane të qeverisë, me arsyetimin se dëshiron të ruajë subjektivitetin e saj politik (etnik) dhe do të dalë e vetme në zgjedhje.

Kësaj partie, Lidhja Evropiane i ka ofruar anëtarësimin, por ajo thekson se ka më shumë shanse për të dalë e vetme në zgjedhje! Përvoja e saj nga koalicioni me VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet lokale është e keqe, sepse ajo nuk i ka marrë pozitat e premtuara në qytetin e Shkupit: Danela Arsovska ka treguar mosbindje ndaj Mickoskit dhe marrëveshja nuk është zbatuar.

Është pikërisht moszbatimi i marrëveshjes mes Aleancës dhe VMRO-DPMNE-së që partia e Arben Taravarit e përdor si argument për t’u thënë partive opozitare shqiptare të “mendohen dy herë” para se të hyjnë në koalicion me VMRO-DPMNE dhe Mickoskin.

Aleanca e Shqiptarëve u bën thirrje partive shqiptare që të mos bashkëpunojnë me VMRO-DPMNE-në

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Krenar Lloga, i cili ka lidhje me ish-liderin e kësaj partie, Zijadin Sela, ka theksuar se partitë shqiptare nuk duhet të humbasin sensin e veprimit politik, duke përqafuar edhe partitë që nuk ia duan të mirën shqiptarëve. pasi komunat ku kanë problem shqiptarët i menaxhojnë kryetarë komunash nga VMRO-DPMNE-ja. “Përmes fjalorit të butë politik, të cilin Mickoski përpiqet ta imponojë, që avokon për qeverisje të mirë, ai përmes forcës së ardhshme politike kërkon një ballafaqim real apo hakmarrje ndaj shqiptarëve, sepse tashmë ka theksuar – si është e mundur që shqiptarët të kenë një numër kaq të madh funksionesh publike”, thekson Lloga në intervistën për TV 21.

Por ndonëse në disa media si TV Alfa ose portali Plusinfo, ka pasur shkrime se nëse zgjedhjet presidenciale dështojnë, në vitin 2024 shqiptarët e BDI-së do ta udhëheqin vendin, nuk ka pasur asnjë deklaratë më decide nga Mickoski “se shqiptarët në qeveri kanë shumë pozita”.

Pas pjesëmarrjes në qeveri, Aleanca është në një situatë shumë të palakmueshme politike: koalicioni me BDI-në dhe LSDM-në do të thotë shkrirje e saj dhe humbje e identitetit të saj politik. Të shkosh vetëm në zgjedhje do të thotë rezultat i dobët dhe defaktorizim të skenës politike, kurse koalicioni me opozitën shqiptare është thuajse i pamundur për faktin se krahu i Selës dhe Llogës është pro vazhdimit të pjesëmarrjes së tyre në qeveri.

Lidhja Evropiane për Ndryshim nuk do t’i lutet Aleancës që të jetë pjesë e bllokut për faktin se tashmë janë tre parti në të. Kjo do të thotë se edhe nëse janë pjesë e qeverisë, funksionet për numrin e madh të “partive aleate” do të jenë shumë të pakta. Që do të thotë se Aleanca është “suficit politik”!

Sipas analizës së situatës së sotme të bllokut politik shqiptar, në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një luftë politike mes BDI-së, e cila me gjasë do të jetë në koalicion me partitë e reja të ish-ministrit të Bujqësisë, Arijanit Hoxha, dhe partisë së deputetit Skender Rexhepi, pastaj Aleanca e Shqiptarëve, e cila në fund të fundit duket se do të hyjë në zgjedhje e vetme, dhe koalicioni trepalësh Lidhja Evropiane për Ndryshim.

SEFER TAHIRI

Sefer Tahiri ka përfunduar studimet e doktoraturës me temën “Ndikimi i partive politike në politikën redaktuese të Shërbimit të Transmetimit Publik – Radio dhe Televizioni i Maqedonisë (1998-2006)”. Ai jep leksione në lëndë nga fusha e medias dhe komunikimit në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimeve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe në Institutin për Studime të Komunikimit në Shkup. Tahiri ka 15 vjet përvojë gazetarie. Ai ka punuar si gazetar dhe redaktor në gazetën Fakti, në programin e gjuhës shqipe në MTV, ALSAT-M TV dhe ka qenë korrespondent i Radios Evropa e Lirë nga Shkupi – programi në gjuhën shqipe. Ka marrë pjesë në projekte të ndryshme studimore në fushën e mediave dhe komunikimit.

(Blogu është marë nga Respublica.edu.mk)