Opinion

Parashqevi Simaku dhe kostoja që shpesh e paguan një femër ndryshe

Nga Besiana Mehmedi

Po vërej reagime të panumërta nga muzikantë e gazetarë pas transmetimit të një dokumentari ku ikona e viteve 80-90 Parashqevi Simaku shihet duke marrë ndihma dhe aktualisht është e paraqitur si e pastrehë në Amerikë, prej nga dekada të tëra ne nuk kemi patur ndonjë informacion se ku dhe çfarë bën!

Në këto momente do duhej tia bënim pyetjen vetes: ku ishim deri sot që kaq të shpejtë jemi në reagime?
Sa intelektualë, atdhetarë e artistë ikën në varfëri të plotë e pa përkujdesje minimale nga kjo shoqëri dhe kush foli apo bëri diçka për ta!

Por do ndalojë te Parashqevi Simaku! Videokaseta e parë që ka ardhur në banesën tonë dhe e ka blerë babai ishte ajo e Parashqevi Simakut e Merita Halilit! Aç shumë dëgjohej e shihej kjo videokasetë në shtëpinë tonë saqë të gjitha këngët i dija përmendësh “Kno mi qyqe”, “Fustanin që ta solla mbrëmë” etj… Ajo që më bënte përshtypje ishte modernizmi, stili në veshje, në lëvizje e këndim që në ato vite ishte laaaarg çdo këngëtare shqiptare të kohës, besa dhe larg realitetit të jetesës tek ne…. Shtatë festivale e dy çmime të para do ta vendosin në piedestalin e karrierës si artiste e dashur, e adhuruar por njëkohësisht e gjelozuar nga rrethi i saj, shantazhuar nga klane e grupe interesi, e sulmuar çdoherë me lloj lloj epitete e aferash…

Përse? Vetëm se ishte një model ndryshe i femrës në shoqërinë tonë!!!?

Ajo ishte e fortë, por jo aq sa për të përballuar pafundësisht padrejtësitë që iu bënë andaj duket që ikja në Amerikë kishte jo vetëm synim Hollivudin, por dhe ikjen nga një realitet i rëndë, plot intriga e i papërballueshëm…. Pas sa vitesh, kur kujtojmë që ajo ka hequr dorë ngq kontakti me familjen në Shqipëri e me çdo shqiptar apriori na bën ta shtrojmë pyetjen: çfarë zhgënjimi i madh mund të ketë qenë sa ta mbyllë përfundimisht kapitullin me ardheun dhe njerëzit e tij???

Kjo shoqëri harron se kur ka prekur Parashqevinë ( në atë kohë) ka prekur një profesioniste, një vlerë të pakontestueshme, një talent që lind rrallë, një kuadër në të cilin u investua shumë e pastaj u sulmua një motër, një vajzë e dikujt, një nënë e një bashkëshorte!

Sot kur bëjmë “rojen e mëshirës” sërish po e prekim Parashqevinë, sepse pas zhgënjimit të madh dhe dështimit të familjes e karrierës në Amerikë ajo thjeshtë ka dashur ta harrojë veten, nuk do ta njohë e ti flasë askush! Sigurisht është më e lumtur me dashurinë e atyre fëmijëve që ndajnë ndihma në rrugë e që i falin miliona buzëqeshje sesa me lulet e pafundme të skenës plot shkëlqim të cilës ajo i fali çdo gjë, por si shpërblim mori pafundësisht zhgënjime nga prapaskenat që thureshin me intriga dhe plane të errëta kundër saj nga qarqet e botës së ashpër e të pamoralshme artistike!
Në këtë moment, është e rëndësishme jo vetëm të solidarizohemi me të por të mendojmë njëherë e mirë si arritëm ti ç’bëjmë, nëpërkëmbim, gjuajmë, shkelim e të prishim jetën e shumë personaliteteve- gra vetëm se ishin model ndryshe nga të tjerat në shoqërinë tonë!

Si duket kjo është kostoja që pagoi Simaku në jetë ku për fat të keq nuk pati një krah të fortë që ti qëndrojë pranë, në momentet e krizave dhe zhgënjimeve të mëdha që di të sjellë jeta publike!
Duke analizuar historinë e saj do duhej të reflektojmë e ta gjykojmë veten si shoqëri për dëmet e panumërta që dimë të shkaktojmë në jetën e gruas shqiptare!
Personalisht do të doja këtë video mos ta shikoj kurr për ta mbajtur mend me bukurinë dhe talentin e jashtëzakonshëm të viteve të arta!

Dhe në këto momente kënga e saj e bukur “Mos ua prishni lumturinë” duket që kalon në himnin e saj jetësor që personifikon nënën e cila si duket goditjen më të madhe e ka marrë pas ndarjes dhe marrjes së kujdestrarisë së djalit nga bashkëshorti gjë e mbajti lidhur përjetësisht me tokln amerikane.

Jo çdo grua e ka forcën të bie dhe të ringirihet edhe më e fortë andaj me rastin e Simakut duhet ti thërrasë ndërgjegjes shoqëria jonë shqiptare që posaqërisht viteve të fundit e ka humbur në masë të madhe sensin e përgjegjësisë së fjalës dhe veprimit kundrejt të gjithë atyre grave që paraqesin model ndryshe- të pakompremetuar dhe të palëkundur në jetë siç ishte dhe mbeti ikona e pakontestueshme e muzikës sonë Parashqevi Simaku!