Paramilitarët serb e kishin vrarë 9-vjeçaren në Dobroshevc një ditë para çlirimit të Kosovës
Askush nuk do të priste që me 12 qershor Serbia do të dorëzohet nga bombardimet e NATO-s e luftës së UÇK-së.
Shumë prindër lanë fëmijë nëpër vende që mendonin që janë të sigurt për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së por askush nga këta luftëtarë nuk do ta besonte se ky regjim kriminal do të qëllonte në fëmijë. E ky regjim vrau edhe një fëmije tjetër me 11 qershor të vitit 1999, pikërisht një ditë pasi të çlirohej vendi.
Besmira Hajdari, 9 vjeçe, nga Dobroshevci i Drenasit ishte ekzekutuar në gjumë nga një paramilitar serb me një plumb në zemër.
Dhembja është edhe sot dhe rritet veçanërisht kur ky kriminel që vrau këtë fëmijë nuk është vënë ende para drejtësisë.
Babai i Besmires, Enver Hajdari, i cili është edhe kryetar i shoqatave te dala nga lufta në Drenas, ka njoftuar se me datën 11 qershor 2023, do të shënohet përvjetori i martirizimit të Besmires.
“Në nderim të kujtimi të saj, ju ftojmë të bashkoheni me ne në homazhet që do të mbahen tek lapidari i vendosur në oborrin e Shkollës Fillore “RILINDJA” në Dritan (Dobroshec). Homazhet do të fillojnë në ora 11:00. Pjesëmarrja juaj në këtë moment të rëndësishëm për familjen tonë do të jetë një nder për ne”, ka njoftuar Hajdari.