Ozdemir: Gjermania dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut sa më parë në BE
“Nëse Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e BE-së, gjithçka do të jetë ndryshe, edhe në lidhje me çmimet edhe në lidhje me sektorin agrar. Do të ketë qasje në tregjet e përbashkëta dhe do të ketë më shumë mundësi”, vlerësoi sot ministri federal gjerman i Bujqësisë dhe Ushqimit, Xhem Ozdemir.
Siç theksoi Ozdemir, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas takimit me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, rritja e inflacionit nuk ka lidhje me politikën e brendshme të çdo vendi, por është rezultat, para së gjithash, i luftës në Ukrainë e cila shkaktoi rritjen e shpenzimeve dhe shtrejtimin e energjisë.
Ai përsëriti se Gjermania ka përcaktim të qartë dhe dëshiron sa më shpejtë që është e mundur Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së.
“Për Republikën Federale të Gjermanisë, është e qartë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE dhe dëshiroj që në kuadër të kompetencës sime si ministër i Ushqimit dhe Bujqësisë, të shpreh respektin tim për përpjekjet e bëra nga Qeveria juaj dhe vendin tuaj në rrugën e deritanishme. Duhet të them se kjo rrugë nuk është e thjeshtë, nuk është as e shkurtër në raport me luftën që po ndodh tani në Evropë. Lufta është rikthyer sërish në Evropë, kemi agresionin e Putinit kundër Ukrainës dhe e gjithë kjo tregon se bashkëpunimi mes shteteve është shumë i rëndësishëm dhe diktaturat nuk duan që të ekzistojë ai lloj bashkëpunimi. RF e Gjermanisë me të vërtetë mbështet procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju mbështetur në rrugën tuaj drejt anëtarësimit të plotë në BE”, theksoi ministri gjerman.
Në lidhje me inflacionin në Gjermani ai tha se ka rënie, por shkalla ende është e lartë dhe nuk është kthyer në situatën siç ishte para luftës në Ukrainë.