Osmani – Welch: Rezoluta e Senatit Amerikan konfirmon se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka alternativë
Një rezolutë e mbështetjes për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian sponsorizohet nga senatori demokrat i Vermontit Peter Welch, senatori demokrat nga New Hampshire Jean Shaheen dhe senatorët republikanë të Nebraskës dhe Karolinës së Veriut Pete Ricketts dhe Tom Tillis.
Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë Teknike, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me senatorin amerikan Peter Welch, i cili propozoi Rezolutën në mbështetje të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Rezoluta në Senatin Amerikan, siç thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, është një tjetër konfirmim se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka alternativë.
Gjatë bisedës, siç thuhet në njoftim, Osmani theksoi se Rezoluta e mbështetur nga senatorët e Partisë Demokratike dhe Republikane, paraqet një konfirmim shtesë se procesi ynë i integrimeve evropiane nuk ka alternativë, por në të njëjtën kohë është edhe një inkurajimi për Unionin që rruga jonë drejt anëtarësimit të plotë është përshpejtuar.
“Rezoluta është një tjetër demonstrim i mbështetjes së fuqishme të SHBA-ve për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe dëshmi e aleancës së fortë mes dy vendeve në përmbushjen e qëllimit të përbashkët strategjik – anëtarësimit tonë në BE. Është në përputhje edhe me angazhimet tona të përbashkëta në kuadër të Dialogut Strategjik me SHBA-në, të cilin e kemi nisur me Sekretarin e Shtetit Blinken në qershor të vitit 2022”, tha Osmani.
Bashkëbiseduesit, duke iu referuar tekstit të Rezolutës, përshëndetën progresin e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e agjendës së reformave, mbështetjen për Ukrainën, si dhe partneritetin afatgjatë strategjik dhe aleancën e NATO-s ndërmjet dy vendeve. Në të njëjtën kohë, u theksua lidershipi i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut gjatë kryesimit të OSBE-së vitin e kaluar.
“Një rezolutë në mbështetje të hyrjes së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është sponsorizuar nga senatori demokrat nga Vermont Peter Welch, senatori demokrat nga New Hampshire Jean Shaheen dhe senatorët republikanë nga Nebraska dhe Karolina e Veriut, Pete Ricketts dhe Tom Tillis”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.