Osmani takon Erdoganin, publikon pamje nga Forumi Diplomatik në Antalia (Video)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Turqisë, për të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë, me ftesë të homologut të saj turk, Recep Tayyip Erdogan.
E para e vendit ka publikuar pamje nga atje, poashtu edhe momentin e shtrëngimit të duarve me Erdoganin.
“Në Forumin Diplomatik në Antalya, krahas aleatëve e liderëve botëror për ta diskutuar rëndësinë e diplomacisë në kohë krizash globale”, ka shkruar Osmani në Instagram, njofton Klankosova.tv.
Siç ka njoftuar presidenca, gjatë forumit, Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”.
Forumi Diplomatik i Antalisë, ku pos presidentes po merr pjesë edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë.