Osmani: Personat me Sindromën Down janë potencial për vendin
Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Sindromës Down, Shoqata Down Syndrome Kosova ka organizuar sonte ngjarjen “Bashkohu me ne”.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se personat me Sindromën Down janë një potencial i jashtëzakonshëm për vendin, derisa kërkoi më shumë angazhim të institucioneve që të njëjtit të integrohen plotësisht në shoqëri.
“21 marsi edhe një herë po na bashkon për të riafirmuar përkushtimin tonë për të mbështetur personat me Sindromën Down dhe për t’i parë ata siç janë, një potencial i jashtëzakonshëm për vendin tonë…Si institucione na takon që të vazhdojmë të punojmë për një mjedis gjithëpërfshirës për të gjithë. Duhet të krijojmë kushte sa më të mira për përfshirje më të madhe për personat me Sindromën Down dhe shfrytëzimin e potencialin që ata e kanë”, tha ajo.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ekzekutivi mbështet personat me Sindromën Down, derisa shtoi se diversiteti nuk duhet të jetë shkas për ndëshkim, por potencial për më shumë solidaritet.
“Ende kemi shumë rrugë të gjatë përpara dhe nuk do të ndalemi. Dallimet mes nesh janë mrekullia që nuk bënë të mos përkujdesemi. Sindroma Down është një sfidë për individët dhe familjet… Diversiteti mes nesh të mos jenë shkas për ndëshkim, por potencial për më shumë solidaritet”, tha ai.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se çdo individ duhet të ketë vlerë në shoqërinë kosovare.