Osmani me katër heroinat e Kosovës përballë Vuçiqit: E vërteta do të dëgjohet dhe do të mbrohet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Nju Jork për një vizitë zyrtare, ku sot do të prezantoj Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Së bashku me të janë edhe Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli e Shyhrete Tahiri.
Në një video-adresim para fillimit të kësaj mbledhje, presidentja Osmani ka thënë se vërteta do të dëgjohet dhe do të mbrohet.
“Mbrapa e kemi ndërtesën e Kombeve të Bashkuara, jam bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, me katër heroinat që janë simbol i forcës, guximit, mbijetesës dhe sukseseve të Republikës tonë. Do ta përfaqësojmë së bashku Kosovën tonë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ne do të sigurohemi që të dëshmojmë që Kosova është storie suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme. Do të sigurohemi të tregojmë edhe për rreziqet e vazhdueshme të sigurisë për shkak të veprimeve destabilizuese të Serbisë, dhe do ta përsërisim kërkesën tonë të vazhdueshme për drejtësi”, ka thënë Osmani.
Kujtojmë se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
E Vuçiqi ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj, pavarësisht “poshtërimit” që i është bërë deri më tani.