Osmani i “butë” me Daçiqin në Beograd, qëndrime të kundërta me Gërvallën në Shkup
Shkupi dhe Prishtina nuk janë në të njëjtën vijë lidhur me bashkëpunimin rajonal. Përderisa Kosova kundërshton ashpër nismën “Ballkani i Hapur” autoritetet në vend thonë se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Shefja e diplomacisë së Kosovës Donika Gërvalla gjatë qëndrimit zyrtar në Shkup tha se marrëveshja e firmosur dje nga liderët e tre shteteve në prapavijë njihet si iniciativa e Novi Sadit. Kjo marrëveshje sipas saj nuk sjell diçka të re për gjitha shtetet e rajonit dhe krijon paralelizma me proceset tjera që kanë një synim të përbashkët të rajonit për integrimin drejt BE-së.
– Advertisements –
Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të mini-Shengenit, e që nga dita e djeshme, Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, tha Donika Gërvalla, ministre e Jashtme e Kosovës.
Ndryshe nga Gërvalla mendon ministri i jashtëm i Maqedonisë Bujar Osmani. Ky i fundit madje tha se nisma “Ballkani i Hapur” duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
Edhe kjo iniciativa e fundit e shoh si përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të thellimit të bashkëpunimit rajonal pa tentuar që të neutralizoj efektin e iniciativave tjera rajonale që janë ekzistuese. Mendoj se për të liruar potencialin e nevojshëm në rajon çdo iniciativë rajonale duhet të jetë inkluzive”, theksoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të RMV-së. Pas takimit që ai kishte në Beograd, nuk u raportuan qëndrime të ndryshme me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq, sikur që pati me ministren kosovare, Donika Gërvalla.
Gërvalla nga ana tjetër tha se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një platformë të përbashkët rajonale ku të gjitha vendet janë të barabarta dhe ky akt quhet Proces i Berlinit.
Një ditë më parë në Shkup, kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev e Presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjatë promovimit të “Ballkanit të Hapur” firmosën dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.