Maqedoni

Osmani: Falënderojmë Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e fortë për arritjen e aspiratave të tyre euroatlantike

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në margjinat e takimit ministror në NATO, në Riga realizoi takim bilateral me Ndihmës sekretaren Shtetërore të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroazitatike, Karen Donfrid, njoftojnë nga MPJ.

Në takim, theksojnë nga MPJ, u bisedua për raportet bilaterale mes dy vendeve, bashkëpunimin në NATO, perspektivat euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për ngjarjet aktuale politike në vend dhe rajon.

“SHBA është aleati dhe partneri ynë shumëvjeçar. Si aleatë në NATO, ne tash jemi të fokusuar që t’i përforcojmë marrëdhëniet në fushën e sigurisë, mbrojtjes, funksionimit demokratik të institucioneve, luftën kundër terrorizmit global, tregun e lirë ekonomik dhe t’i zgjerojmë mundësitë për aktivitetet afariste të të dy vendeve”, theksoi Ministri.

Ministri Osmani duke potencuar rolin e rëndësishëm të SHBA-së në arritjen e stabilitetit afatgjatë, demokratizimin dhe prosperitetin e vendit tonë dhe rajonit u falënderua për mbështetjen e fortë në vazhdimësi nga SHBA-ja, për realizimin e aspiratave euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.