Organizata e hebrenjve antisionistë: I lutemi Perëndisë që Palestina ta fitojë lirinë
Rabini Yisroel Dovid Weiss nga Organizata Ndërkombëtare e Hebrenjve Kundër Sionizmit, thotë se vrasja dhe vjedhja janë qartazi të ndaluara sipas tyre dhe se shteti i Izraelit është krijuar duke vjedhur nga arabët.
Weiss nga Organizata Ndërkombëtare e Hebrenjve Kundër Sionizmit, e njohur si Neturei Karta, foli për korrespondentin e Anadolus për sionizmin, ideologjinë themeluese të Shtetit të Izraelit, dhunën dhe uzurpimin e tokës nga palestinezët.
Duke thënë se ka shumë njerëz që ngatërrojnë Judaizmin dhe Sionizmin dhe janë të hutuar për këtë çështje, rabini Weiss tha:
“Sionizmi, që është ideologjia e shtetit të Izraelit, përpiqet ta portretizojë veten si një shtet hebre, por sionizmi është një ideologji, nuk ka të bëjë fare me judaizmin, që është fe. Ata pretendojnë se përfaqësojnë fenë hebraike, se flasin në emër të Zotit dhe se janë zëri i popullit hebre në botë, i cili është plotësisht i përkushtuar ndaj Zotit. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë”.
Weiss vuri në dukje se ata që e kundërshtojnë këtë situatë etiketohen si “antisemitë” ose “urrejtës të popullit hebre dhe fesë hebraike” dhe nënvizoi se në fakt, judaizmi dhe sionizmi janë diametralisht të kundërta.
Sipas tij, sionizmi çoi në fatkeqësinë e madhe “Nakba” në vitin 1948, në të cilën palestinezët iu nënshtruan migrimit të detyruar.
“Judaizmi dhe sionizmi dallohen aq sa toka dhe qielli, ato kundërshtojnë njëri-tjetrin. Judaizëm do të thotë nënshtrim ndaj Zotit të Plotfuqishëm. Sionizëm do të thotë gjithçka që përfshin të qenit një komb, është emri i nacionalizmit ekstrem që ndihmon për të zotëruar gjithçka”, thotë Weiss.
“Ne qajmë bashkë me palestinezët”
Duke kujtuar urdhërimet e Torës, “Mos vrisni dhe mos vidhni”, Weiss tha: “Vrasja dhe vjedhja janë qartazi të ndaluara te ne. (Shteti i Izraelit) Ata e themelojnë shtetin e tyre duke vjedhur nga arabët. Kjo është pse ne qajmë bashkë me palestinezët”.
Duke folur për rëndësinë e shprehjes së mirënjohjes siç kërkohet nga Tora, Weiss deklaroi se populli hebre, i cili jetoi në prosperitet për qindra vjet në tokat e dominuara nga muslimanët, u përqafua nga muslimanët.
Weiss vuri në dukje se ideologjia sioniste shpesh përdor argumentin e gabuar se “muslimanët i urrejnë hebrenjtë”.
“Megjithëse muslimanët dhe hebrenjtë kanë jetuar së bashku për qindra vjet, sionistët pretendojnë se arsyeja pse shteti i tyre kundërshtohet është sepse muslimanët i urrejnë hebrenjtë. Shteti i Izraelit vepron në mënyrë diametralisht të kundërt me tolerancën dhe ndalesat e Torës në çdo aspekt”, shprehet rabini.
Ai thekson më tej se Izraeli është një shtet antisemitik që prodhon dhe nxit urrejtje.
“Si hebrenj fetarë, ne i lutemi Perëndisë çdo ditë për shpërbërjen e menjëhershme të shtetit sionist të Izraelit, i cili ka shkaktuar kaq shumë gjakderdhje të palestinezëve dhe hebrenjve. Ne i lutemi Perëndisë që të çlirojë Palestinën sa më shpejt të jetë e mundur. Që Palestina të mund të jetë e lirë dhe që bota t’i shërbejë Perëndisë në harmoni”, thotë Weiss, duke shtuar se sionistët nuk u binden urdhrave të Torës.
“Ata nuk u binden dhjetë urdhërimeve të Torës dhe të Shabatit. Të shtunën, gjithçka në Izrael vazhdon si zakonisht. Prandaj, të quash veten shtet hebre është absurditet i plotë, një mashtrim, një shaka. Ajo që qëndron pas atij shteti nuk është një fe, por një ideologji. Disa njerëz me krenari u thonë sionistëve se janë demokratë. Sigurisht, është shumë qesharake të thuhet një gjë e tillë kur shikojmë se si ata i trajtojnë arabët dhe muslimanët”, thekson më tej rabini hebre.
Weiss deklaroi se, sipas bindjeve të tyre, është qartësisht i ndaluar krijimi i një shteti hebre madje edhe në një zonë të pabanuar.
“Të thuash se ekziston një shtet hebre është rebelim i drejtpërdrejtë kundër Zotit. Sepse ne jemi të syrgjynosur nga Perëndia. Ne do të qëndrojmë në atë syrgjyn derisa Zoti të bëjë një ndryshim metafizik në të cilin i gjithë njerëzimi do t’i shërbejë Atij në harmoni”, përfundoi rabini antisionist Yisroel Dovid Weiss.