Organizata e Bashkëpunimit Islam bën thirrje urgjente për “ndihmë maksimale” për Gazën
Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) i bëri thirrje botës islame që “të ofrojë menjëherë ndihmën maksimale të mundshme” për të zbutur katastrofën humanitare që rezultoi nga sulmet e Izraelit në Rripin e bllokuar të Gazës, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të OBI-së, thuhet se, “Si pasojë e sulmit brutal të Izraelit në Gaza, pati mijëra dëshmorë dhe të plagosur, u shkatërruan qindra ndërtesa, u shkatërrua infrastruktura, u ndërpre uji dhe rryma, karburanti dhe ilaçet mbaruan dhe palestinezët u zhvendosën për shkak të sulmeve të papritura”.
Në deklaratë thuhet se vendet anëtare të OBI-së kanë marrë përsipër një detyrë të rëndësishme në mbështetjen e rezistencës së popullit palestinez dhe sigurimin e ushqimit, furnizimeve mjekësore dhe ndihmave, si dhe shprehet shpresa se këto vende do të vazhdojnë solidaritetin e tyre me popullin palestinez.
Në deklaratë, vendeve anëtare të OBI-së, organizatave të lidhura me OBI-në dhe organizatave joqeveritare në botën islame iu kërkua “të ofrojnë menjëherë ndihmën maksimale të mundshme” për të lehtësuar fatkeqësinë humanitare që rezultoi nga sulmet e Izraelit ndaj civilëve të pambrojtur në Gaza.