Opinion: Heshtja e Jack Smith-it dhe institucioneve të Kosovës ndaj krimeve të luftës nga Serbia
Shkruan: Ekrem Krasniqi, Bruksel
Qeveritë dhe parlamentet e kaluara të Kosovës kanë heshtur, por, Kryeministri i tashëm i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu DUHET të mos e bëjnë të njëjtin gabim dhe ata DUHET që ta ngrenë zërin fuqishëm dhe të kërkojnë llogari nga Krye-Prokurori Jack Smith, e po aq edhe nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian dhe qeveria e SHBA-ve, pse asnjë pjesëtarë i ish-forcave të Serbisë të viteve 1998-1999 nuk po akuzohet nga zyra e Smith-it në Hagë për krimet e luftës ndaj shqiptarëve. Kjo kërkesë duhet të jetë aq e fuqishme dhe të shkojë deri tek kushtëzimi i dialogut me Serbinë nëse e njëjta qasje injoruese nga Jack Smith-i do të vazhdojë.
Shkruan Ekrem Krasniqi, Bruksel
Kaluan 22 vite nga vrasja e mbi 12 000 civilëve shqiptarë nga forcat serbe ; djegia dhe shkatërrimi i mbi 120 000 shtëpive the pronave të tyre; përdhunimi i 20 000 grave dhe vajzave e grave dhe dëbimi i dhunshëm i mbi 800 000 nga shtëpitë e tyre për në Shqipëri dhe Maqedoni.
E 22 vite më pas, Kosova dhe institucionet e saj, qeveritë dhe parlamentet e deritashme, heshtin ndaj injorimit nga ana krye – prokurori i gjykatës speciale në Hagë Jack Smith të të njëjtave krime të luftës dhe ndaj krimeve ndaj njerëzimit.
Kjo heshtje i bënë po të njëjtat bashkëpjesëmarrëse në injorimin, edhe pse aty-këtu, disa gjykata vendore po merren më këto krime, por vetëm atëherë kur policia e Kosovës ka mundësi të rastësishme që të arrestojë ndonjë të dyshimtë serb, kur të njëjtit hyjnë në territorin e Kosovës, apo kur ndonjë shtet do të ketë arrestuar dhe ekstraduar ata në Kosovë.
D.m.th prokuroria dhe gjykatat e Kosovës, ndodhen në pritje të hyrjes së tyre në territorin e Kosovës dhe në pritje të ndonjë arrestimi nga ndonjë shtet tjetër të ndonjë pjesëtari të rangut të ulët të forcave të Serbisë të dyshimtë për krimet e luftës në Kosovë, pikërisht kur atje në Hagë është një gjykatë, e cila sipas qeverive të BE-së do të duhej të merret me po të njëjtat krime.
Që nga 13 dhjetori 2016 e plotë katër vite rresht, shoqata nga Klina « Familja dhe Shpresa » dhe shoqata të tjera nga rajoni i Drenicës kërkuan plotësimin e ligjit për gjykatën speciale, që tekstualisht e në mënyrë që qartë në të të shkruhet dhe kërkohet që kjo gjykatë, prokoria e saj përkatësisht, të merret me krimet e kryera nga Serbia dhe forcat e saj ndaj shqiptarëve të Kosovës, pos krimeve të pretenduara nga pjesëtarët e UÇK-së.
Mirëpo, për çudi kjo nuk ndodhi, për shkak të injorimit të çuditshëm të kësaj kërkese nga qeveritë dhe parlamentet e kaluara në Prishtinë.
U deshën dy vite kërkesa të këtilla nga këto shoqata të cilat përfaqësojnë familjarët e viktimave shqiptare në mënyrë që Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian, me datën 18 Qershor 2019, të arsyetohet se nuk ka nevojë që të plotësohet ligji në fjalë, sepse siç thonë edhe vet qeveritë e BE-së : i njëjti ligj « mundëson hetimin dhe prosekutimin e të gjitha krimeve të luftës të pretenduara ».
Ky është teksti në gjuhën angleze i pikës 50 të konkluzioneve të këtij takimi në Bruksel :
(vegëza: https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2019/06/18/council-conclusions-on-enlargement-and-stabilisation-and-association-process/ )
Mirëpo, përkundër kësaj, Krye-Prokurori Jack Smith, nuk është duke u marrë me krimet e luftës të kryera nga Serbia dhe pjesëtarët forcave të saj ndaj shqiptarëve.
Injorimi i këtyre krimeve nga Smith, është i pafalshëm, është ofendues ndaj shqiptarëve dhe ndaj krejt Republikës së Kosovës dhe po aq ndaj DREJTËSISË për të cilin flasin ata që duhet ta sjellin po të njëjtën drejtësi.
Ajo çfarë po ndodhë në këtë gjykatë që nga themelimi i kësaj gjykate është drejtësi selektive dhe nuk ka të bëjë fare me drejtësinë e pretenduar për të gjithë.
Eshtë detyre morale dhe shtetërore e krejt qeveritarëve dhe parlamentarëve të Kosovës që të ngrenë zërin e mospajtimit me punën selektive të Jack Smithit dhe ekipit të tij.
Qeveria aktuale nuk mund të shfajësojë në asnjë mënyrë veten ndaj kësaj qasjeje ofenduese të Smithit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu DUHET që të kërkojnë llogari nga Jack Smith e po aq edhe nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian dhe qeveria e SHBA-ve, pse asnjë pjesëtarë i ish-forcave të Serbisë të viteve 1998-1999 nuk po akuzohet deri më tash nga zyra e Smithit për krimet e luftës në Kosovë ndaj shqiptarëve.
Asnjë arsyetim nuk vlen. Gjykata Speciale është pjesë e kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Jack Smith dhe prokurorët e zyrës së tij, janë themeluar nga parlamenti i Kosovës, dhe ata duhet të japin llogari për mos-punën e tyre për krimet e Serbisë pikërisht tek institucionet dhe populli shqiptar i Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës, nëse edhe pas këtyre kërkesave, Jack Smith do të vazhdojë të mos bëjë punë e tij, ashtu siç thonë konkluzionet e Këshillit të Ministrave, atëherë qeveria e Kosovës do të duhet që të rebelohet edhe ndaj BE-së dhe të kushtëzojë pjesëmarrjen në dialogun me Serbinë, deri atëherë kur Jack Smith të ketë ngritur aktpaditë e shumta ndaj atyre që ishin ideator, organizues dhe ekzekutues të krimeve të luftës ndaj shqiptarëve të Kosovës, e të cilët ende po shijojnë lirinë në territorin e Serbisë dhe po mbrohen, pikërisht nga ish-ministri i Sllodoban Millosheviqit : Aleksandar Vuçiç.
Drejtësia për ngjarjet e luftës 1998-1999 për liri dhe pavarësi është në anën e Kosovës, atë duhet kërkuar pa asnjë ngurrim dhe pa asnjë frikë. Kriminelët e mbrojtur nga Vuçiçi e kanë vendin prapa grilave, atje në Hagë.
(Autori është themelues i agjencisë së lajmeve dtt-net.com)