Rajon - Botë

OKB: Mijëra fëmijë të vrarë në Gaza nuk mund të cilësohen si “humbje civile”

Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB–së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRËA) Philippe Lazzarini tha se mijëra fëmijë të vrarë në Rripin e Gazës nga sulmet izraelite nuk mund të cilësohen si “humbje civile”. Lazzarini foli në Konferencën Ndërkombëtare Humanitare për Civilët në Gaza që u mbajt në kryeqytetin e Francës, Paris në të cilën mori pjesë edhe të presidentit francez, Emmanuel Macron. Ai theksoi se fëmijët janë ata që vihen më shumë në objektiv në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës. “Vrasja e mijëra fëmijëve nuk mund të jetë humbje civile. Nxjerrja e një milion njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe përqendrimi i tyre në vende ku infrastruktura nuk është e mjaftueshme është zhvendosje e detyruar”, u shpreh Lazzarini. Lazzarini i përcolli presidentit francez Macron shqetësimin e tij për mundësinë e përhapjes së konfliktit nga Gaza në rajone të tjera. Ai potencoi se sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor nën pushtim kanë shkaktuar gjithashtu vrasjen e një numri rekord të palestinezëve.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se situata në Gaza është serioze dhe se ajo po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe se ka nevojë për një pauzë të shpejtë humanitare të konfliktit dhe përpjekje shtesë për armëpushim, raporton Anadolu. Duke përmendur se mijëra njerëz janë vrarë dhe plagosur dhe më shumë se një milion janë zhvendosur, Macron tha se të gjitha jetët janë njëlloj të vlefshme dhe nuk mund të ketë standarde të dyfishta. Presidenti francez theksoi se duhet të ndërmerren hapa për të “tharë rrjedhën e burimeve financiare të Hamasit” dhe vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që lidhen me sulmin e 7 tetorit. Macron njoftoi se ndihma e Francës për civilët në Gaza do të rritet në 100 milionë euro.

Ndërkaq, Qeveria në Gaza deklaroi se ushtria izraelite ka bombarduar 8 spitale në 3 ditët e fundit ndërsa 18 spitale kanë qenë jashtë shërbimit që nga fillimi i sulmeve më 7 tetor. Shefi i Zyrës për media të qeverisë në Gaza, Selame Maruf tha se bombardimi i spitaleve nga Izraeli dhe kthimi i tyre në objektiva ushtarake është një “krim lufte” sipas ligjit ndërkombëtar. Maruf tha se dhjetëra njerëz u vranë dhe u plagosën si rezultat i sulmeve ndaj këtyre objekteve që duhet të mbrohen.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i ka bërë thirrje Organizatës së Bashkëpunim Ekonomik (ECO) të flasë kundër sulmit të Izraelit ndaj Gazës. “Nëse ne, si Organizatë e Bashkëpunimit Ekonomik, nuk e ngremë zërin tonë së bashku si musliman sot, kur do ta ngremë”, tha Erdoğan në samitin e 16-të të grupit ekonomik në kryeqytetin Tashkent të Uzbekistanit. “Izraeli vazhdon të bombardojë shkollat, xhamitë, kishat, spitalet dhe të shtypë të gjitha vlerat humanitare”, tha Erdoğan. Presidenti turk theksoi se rreth 73 për qind e afër 11 mijë njerëzve të vrarë brutalisht nga Izraeli në Gaza janë gra dhe fëmijë, si dhe kritikoi SHBA-në dhe Perëndimin për heshtje ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza. Të paktën 10.569 palestinezë, përfshirë 4.324 fëmijë dhe 2.823 gra, janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri të vdekurve izraelitë është gati 1.600.