Rajon - Botë

OKB: Mijëra fëmijë të vrarë në Gaza nuk mund të cilësohen si “humbje civile”

Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) Philippe Lazzarini tha se mijëra fëmijë të vrarë në Rripin e Gazës nga sulmet izraelite nuk mund të cilësohen si “humbje civile”, transmeton Anadolu.

Lazzarini foli në Konferencën Ndërkombëtare Humanitare për Civilët në Gaza që u mbajt në kryeqytetin e Francës, Paris në të cilën mori pjesë edhe të presidentit francez, Emmanuel Macron.

“Ky ka qenë në muaj i mbushur plot me dhimbje për UNRWA-në. Në Gaza janë vrarë 99 prej kolegëve të mi. Kjo është shifra më e lartë për punonjësit e ndihmës së OKB-së që janë vrarë në një konflikt për një kohë kaq të shkurtër”, tha Lazzarini.

– “Vrasja e mijëra fëmijëve nuk mund të jetë humbje civile”

“Javën e kaluar pas fillimit të konfliktit kam vizituar dy herë Gazën. Vizitova një shkollë të UNRWA-së e cila strehon mijëra persona dhe kjo ishte shumë zemërthyese. Fëmijët mësonin dhe qeshnin në këtë shkollë, por sot ata duan një copë bukë dhe ujë”, tha zyrtari i OKB-së.

Ai theksoi se fëmijët janë ata që vihen më shumë në objektiv në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës. “Vrasja e mijëra fëmijëve nuk mund të jetë humbje civile. Nxjerrja e një milion njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe përqendrimi i tyre në vende ku infrastruktura nuk është e mjaftueshme është zhvendosje e detyruar”, u shpreh Lazzarini.

Lazzarini i përcolli presidentit francez Macron shqetësimin e tij për mundësinë e përhapjes së konfliktit nga Gaza në rajone të tjera. Ai potencoi se sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor nën pushtim kanë shkaktuar gjithashtu vrasjen e një numri rekord të palestinezëve.

Zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të politikës izraelite i kanë quajtur “humbje civile” të vrarët nga sulmet e ushtrisë izraelite kundër Rripit të Gazës. Ambasadori izraelit në Washington, Michael Herzog lidhur me vrasjet e civilëve në Gaza ka thënë “Në çdo luftë ka pasoja të padëshiruara dhe humbje civile”.