Ohër, punëtorë nga Filipinet e Bangladeshi
Propozimi i Qeverisë për të sjellë fuqi punëtore nga vendet e huaja nuk do ta zgjidh problemin me mungesën e punëtorëve në vend, veçanërisht në turizëm, thonë gastronomët. Si fillim, shteti planifikon ta hapë tregun e punës për njerëz nga Bangladeshi, Pakistani dhe Filipinet ndërsa problemi kryesor pritet të jetë pengesa gjuhësore.
“Ka edhe pengesë gjuhësore nga ata njerëz kur të vijnë. Ne kemi nevojë për shërbime, shërbim që do të punojë me njerëzit. Në përgjithësi, ajo gropë nuk mund të mbushet, përveçse me rritjen e pagave dhe motivimin e të rinjve që të fillojnë të punojnë këtu”, tha Ana Jançeva- menaxhere hoteli.
Gjithashtu thuhet se vështirë mund të gjendet personel nga vendet fqinje.
“Mendoj se sipas standardit, nuk ka njeri nga ndonjë vend afër nesh, që në aspektin gjuhësor do të donte të punojë këtu”, shtoi ajo.
Kurse për njerëzit nga vendet më të largëta, shpenzimet e punësimit do të rriteshin shumëfish.
“Vetë personi duhet të pajiset me vizë qëndrimi dhe vizë pune, akomodim dhe ushqim të siguruar. Përkundrazi, mendoj se pronarët e hoteleve dhe punëtorët e gastronomisë duhet të ulen dhe të bien dakord që të gjejnë mënyrë që punëtorët të qëndrojnë këtu dhe të punojnë në objektet gastronomike në vend”, theksoi Igor Peshevski, student i turizmit.
Për paga disa herë më të larta, fuqia punëtore profesionale, duke përfshirë punëtorët e përgjithshëm nga Maqedonia e Veriut, shkon në Kroaci. Atje punojnë si kuzhinierë, kamerierë, banakierë, nga marsi deri në fund të tetorit. Në këtë sezon turistik, mungesa e këtij personeli pritet të ndjehet edhe më shumë./Alsat.mk