Oda e Mjekëve: Klinikës “Zhan Mitrev” nuk mund t’i merret licenca nëse nuk ka vendim gjyqësor
Oda e Mjekëve të Maqedonisë me një njoftim publik theksojnë se nuk mund të merret në konsideratë heqja e licencës për punë në klinikën “Zhan Mitrev”, sepse siç thonë ata, e vetmja bazë për këtë do të ishte vendimi i gjykatës për mënyrën e trajtimit pacientët nga Covid-19.
Nga atje thonë se sipas Ligjit për kujdesin shëndetësor kanë kompetencë që t’ua lëshojnë, rinovojnë, zgjasin dhe heqin licencën për të punuar për mjekët e mjekësisë, por se për këtë fillimisht duhet vendim nga gjykata.
“Kur bëhet fjalë për profesionalizmin e mjekut, ligji parashikon heqjen e përkohshme dhe të përhershme të licencës, e cila në të dyja rastet bëhet nëse ekziston një vendim gjyqësor përkatës që vërteton se mjeku ka kryer vepër penale që lidhet me veprimtarinë shëndetësore ose ka kryer një lëshim apo gabim profesional gjatë punës duke shkaktuar dëmtim të përhershëm të shëndetit ose vdekje të pacientit”, thonë nga Oda e Mjekëve.
Heqja e licencës së punës është një akt i rëndë, theksojnë nga atje, për këtë arsye ligji parashikon që të bëhet vetëm në rast të ekzistimit të një vendimi gjyqësor që vërteton se mjeku ka kryer vepër penale.
“Heqja e licencës nuk mund të bëhet me bindje personale të individëve pa vërtetuar dyshimet e ngritura, sepse do të ishte një sulm i rëndë ndaj profesionit dhe një mundësi për abuzime. Në këtë seksion, Oda e Mjekëve vepron në mënyrë sa më profesionale dhe të përgjegjshme dhe i trajton të gjitha rastet për të cilat është marrë vendimi i duhur gjyqësor”, shtojnë nga Oda e Mjekëve.