Nxënësit e RMV-së deri në fund të muajit maj do të mund të aplikojnë për regjistrim në gjimnazin për informatikë dhe matematikë
Nxënësit e shkollave fillore në Maqedoninë e Veriut që kanë kryer arsimin fillor me sukses, veçanërisht në shkencat natyrore, do të mund të aplikojnë për regjistrim në gjimnazin për matematikë dhe informatikë deri më 31 maj, transmeton Portalb.mk.
“Në Gjimnazin Matematiko-Informatike regjistrohen nxënës të rregullt të cilët kanë përfunduar arsimin fillor, kanë arritur sukses të përgjithshëm prej së paku 4,5 nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në arsimin fillor dhe me notë 5 në lëndët mësimore matematikë nga klasa e gjashtë deri në të nëntën dhe fizikë nga klasa e tetë dhe e nëntë në arsimin fillor, dhe kanë dorëzuar vërtetim me numrin e pikëve të fituara nga provimi pranues”, sqaroi Ministria.
Aplikimi për provimin pranues mund të bëhet në adresën elektronike matematicka.gimnazija@schools.mk dhe në objektin e SHMSH “Gjimnazi Matematiko-Informatikë”.
Provimi pranues në matematikë do të mbahet më 7 qershor, ndërsa në fizikë më 11 qershor.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) më 27 mars shpalli konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike për vitin akademik 2024/2025. Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të bëhet në periudhën e afatit të qershorit me dy regjistrime.
Ndonëse regjistrimi elektronik u prezantua për herë të parë dy vite më parë, nxënësve u duhej të sillnin dokumentet në shkollë në formë letre. Kështu do të jetë edhe këtë vit.
Regjistrimi i parë elektronik i nxënësve do të bëhet nga data 20 qershor deri më 25 qershor 2024, ndërsa regjistrimi i dytë elektronik i nxënësve do të bëhet në datat 1 dhe 2 korrik dhe dokumentacioni në letër duhet të dorëzohet në të njëjtat ditë.