Maqedoni

Nuk mblidhet Komisioni Anketues për skandalin në Klinikën e Onkologjisë, rrezikon afatin ligjor

Nuk ka mbledhje për Komisionin Anketues për Onkologjinë, ndërsa afati për konkluzione është deri më 3 dhjetor. Kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi për MIA-në ka deklaruar se Komisioni Anketues për skandalin në Klinikën e Onkologjisë sot nuk do të ketë mbledhje edhe përkundër asaj që afati për miratimin e konkluzioneve është deri më 3 dhjetor. Deputetët e shumicës qeveritare dhe opozita dje dolën me konkluzione të ndryshme. Ndërkaq, në mbledhje e djeshme kishte mospajtime në mesin e anëtarëve të Komisionit rreth konkluzioneve për vërtetimin e përgjegjësisë politike.

RASHELLA MIZRAHI, KRYETARE E KOMISIONIT ANKETUES

“Ende jam e tronditur për atë që deputetët e shumicës nuk duan ta respektojnë vendimin e plenumit, ku kërkohet, nëse ka, të përcaktohet përgjegjësi politike për person me emër dhe mbiemër. Sepse në vendimin tonë, neni 2 paragrafi 2, qëndron konfirmimi i përgjegjësisë politike i funksionarëve shëndetësorë dhe funksionarë të tjerë qeveritare”.

Kryetarja e Komisionit, Rashella Mizrahi informoi se Komisioni Anketues ka konfirmuar përgjegjësi politike te ish ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ish drejtorët e Onkologjisë, Nikolla Vasev dhe Nehat Nuhi, ish drejtoresha e ISHSSH Irina Sotirova Buhova, si dhe ish drejtorët e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Stevo Kërstevski dhe Faton Ahmeti për shkelje të parimeve kushtetuese, mosveprim në bazë të kompetencave të shënuara në ligjet nga sfera e sistemit shëndetësor, si dhe shkelje të rregullave pozitive nga aktet nënligjore me të cilat rregullohen organizata, puna dhe kontrolli i institucioneve shëndetësorë.

Përndryshe, deputetët e LSDM-së nuk u pajtuan me këto konkluzione të cilat, siç thanë, janë konkluzione vetëm nga anëtarët e VMRO-DPMNE-së, madje ata kërkuan dorëheqje nga kryetarja e Komisionit. Ata dorëzuan konkluzionet e tyre me të cilat kërkojnë nga PTHP urgjentisht t’i zbardhë dyshimet për keqpërdorim të terapisë në Klinikën e Onkologjisë, si dhe ndikimin potencial negativ mbi shëndetin dhe jetën e pacientëve.