Nuk ishte dënuar edhe pse ishte kapur me lëndë narkotike, por ishte dërguar në shtëpi edukuese- Pas presionit të opinionit Gjykata publikoi vendimin e marrë kohë më parë për Vasil Jovanovin
Pas revoltës së opinionit dhe insistimit të mediave, Gjykata Penale e Shkupit e ka publikuar aktgjykimin për Vasil Jovanov, për rastin në të cilin është shpallur fajtor për tregti me lëndë narkotike. Jovanov, i cili më 29 janar duke vozitur në gjendje të dehur, pa patentë shoferi dhe në semafor të kuq, e shkeli për vdekje 23-vjeçaren Frosina Kullakovën, pavarësisht se është kapur me marihuanë dhe kokainë dhe është shpallur fajtor, në vend që të përfundojë në burg, gjykata i ka shqiptuar masë për dërgim në shtëpinë edukuese-korrektuese në Tetovë. Megjithatë, ai nuk ka shkuar në shtëpinë korrektuese pasi lënda është në procedurë ankimuese në Gjykatën e Apelit në Shkup, i cili ende nuk është deklaruar.
Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, gjykatësja e lëndës Daniella Aleksovska-Stojanovska është thirrur në nene të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, pasi Jovanov asokohe nuk i ka mbushur 20 vjet. Sipas Gjykatës, masa e këtillë ndaj Jovanovit do të ketë ndikim pozitiv për sjelljen e mëtutjeshme të tij në jetë.
“Të akuzuarit i jepet edhe një mundësi që ta korrigjojë sjelljen e tij, të vazhdojë të ecë në rrugën e drejtë, larg veprimeve negative”, thuhet në Aktgjykimi i Gjykatës Penale.
“Gjykata e respekton dhe e përfaqëson qëndrimin se qëllimet e sanksioneve penale nuk duhet të paraqesin dënim dhe hakmarrje të kryerësit, por para se gjithash risocializimin e tyre që në të ardhmen të mos paraqiten si kryerës të veprave tjera penale”, thuhet aty.
Për rastin në fjalë, sot kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE, të cilët thonë se në vend që Gjykata ta pranojë lëshimin, ata vazhdojnë ta mbrojnë qëndrimin për rastin në fjalë, ku personi në vend që të ishte në burg, mori një jetë të pafajshme.
“Opinioni është i tronditur nga përpjekja e Gjykatës Penale ta arsyetojë vendimin e saj, me të cilën, për personin tek i cili janë gjetur mbi 80 pako amfetamin, është trajtuar me masë edukuese, në vend se me sanksion më rigoroz. Në vend ta marrë përgjegjësinë, për lëshimin e dukshëm, gjykata vazhdon ta mbrojë qëndrimin e saj, edhe pse i njëjti kryerës në liri, shkaktoi tragjedi duke marrë një jetë të pafajshme”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.
“VMRO-DPMNE kërkon revizion urgjent të gjitha aktgjykimeve të këtilla dhe organet gjyqësore të tregojnë përgjegjësi të rritur në vendimmarrje”, shtoi ai.
Gjatë ditës së djeshme, qindra qytetarë me lule në dorë e duke ndezur qirinj, u mblodhën në shenjë proteste për vdekjen Frosinës, e cila mbrëmjen e 29 nëntorit, duke dashur të kalojë rrugën në bulevardin “Partizanski Odredi” u përplas për vdekje nga 20-vjeçari Vasil Jovanov. Për protestuesit, nuk bëhet fjale për aksident por për vrasje për faktin se i riu ishte i njohur për dosje penale, por asnjëherë nuk u dënua./Alsat.mk