Nuk do të lejohet organizimi i dasmave, rrezik për përhapjen e virusit
Jeta duhet të vazhdojë, dasmat duhet të bëhen, por me protokolle të veçanta më të rrepta. Kur do të lejohet organizimi i dasmave do të dihet në periudhën e ardhshme. Këtë për Alsat e deklaroi një anëtar i Komisionit të Sëmundjeve Infektive. Ai këmbënguli të mbetet anonim, duke shpjeguar se ky është qëndrimi i tij personal dhe kur çështja të vihet në tavolinë, komisioni do të vendosë dhe opinioni do të informohet zyrtarisht.
Nëse numri i njerëzve të infektuar me Covid-19 vazhdon të ulet dhe procesi i vaksinimit vazhdon pa asnjë problem, nuk shoh se cila do të ishte arsyeja për të mos pasur dasma. Duhet të gjendet mënyrë për ta bërë gjithë organizimin sipas protokolleve speciale parandaluese. Patjetër të përshtatemi me mënyrën e re të jetës – deklaroi një anëtarë i KSI-së.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se është ende herët për të organizuar dasma, koncerte dhe ngjarje të tjera. Sektori i gastronomisë, sidomos restorantet e dasmave, disa herë i kanë kërkuar Qeverisë mundësinë për të punuar si restorantet e tjera që punojnë me protokolle. Por edhe të organizojnë dasma, pa argëtime të veçantë me kërcim dhe vallëzim, thjesht vetëm shërbim të darkës.
Oda e Turizmit dhe Gastronomisë është e gatshme të përfshihet në mënyrë aktive në përgatitjen e protokolleve, duke ndjekur përvojën që kanë vendet e tjera. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohen kushte të sigurta për organizimin e këtyre ngjarjeve, respektimi i të cilave do të kontrollohet nga institucionet kompetente – thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi njoftoi disa herë se në fund të majit situata me masat do të lehtësohet dhe se me protokolle do të mund të mbahen festime familjare. Autoritetet kanë qenë gjithmonë decid se megjithatë, fjalën e fundit për këtë do e kenë autoritetet shëndetësore, përkatësisht Komisioni i Sëmundjeve Infektive.