‘Non-paper-i’ për vendet e Ballkanit, Osmani: Nuk shqetësohem për Maqedoninë e Veriut
-Nuk jam fare i shqetësuar për Maqedoninë e Veriut në këtë debat, por për paqen dhe stabilitetin në rajon, kështu e komentoi fillimisht ministri i Punëve të Jashme, Bujar Osmani debatin për ‘non-paper’ për Ballkanin Perëndimor, transmeton Alsat. Osmani theksoi se me anëtarësimin e vendit në NATO vendi ka siguruar integritetin territorial.
“Ne jemi NATO, dhe më askush nuk e sheh Maqedoninë e Veriut si pjesë e debateve të tilla të ndryshimit të kufijve. Dy modele në të gjitha tentativat për të krijuar paqe të qëndrueshme në rajon janë treguar si të suksesshme. Në nivel shtetërorë Marrëveshja kornizë e Ohrit, në nivel rajonal integrimi euro-atlantik i rajonit që transformoi rajonin thelbësisht në këto 20 vite të fundit”, tha Osmani.
Tutje ministri Osmani paralajmëroi se do të ketë debate të tilla në rajon përderisa do të ketë zgjidhje të vazhdueshme të kontesteve mes vendeve. Osmani deklaroi se në komunikim me autoritete sllovene është siguruar se një dokument i tillë nuk ekziston.
“Kryeministri Jansha publikisht demantoi se ka një `non paper` të tillë nga Sllovenia. Në komunikimin tim me me ministrin e Punëve të Jashtme jam siguruar që nuk ka asnjë ndryshim në strategjinë dhe politikën e Sllovenisë”, deklaroi Osmani.
Ndryshe, më 15 prill portali slloven “Pa censurë” (“Necenzurisano”) ka publikuar kopjen e pretenduar të dokumentit kontrovers (non paper). Sipas përmbajtjes së publikuar, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.