Maqedoni

Njëzet vjet pas zgjerimit të madh, BE-ja synon ta vazhdojë procesin

Bashkimi Evropian shënon 20-vjetorin e zgjerimit më të madh të bllokut në histori. Me këtë datë në vitin 2004 përnjëherë në BE, e cila në atë kohë kishte 15 vende anëtare, u pranuan edhe dhjetë shtete të reja, tetë prej tyre nga ish-blloku komunist.

– Advertisements –

Prandaj, ky zgjerim edhe u quajt “vala e madhe e zgjerimit të BE-së”. Bashkimi Evropian e ka shënuar këtë përvjetor me disa ngjarje dhe me përsëritjen e zotimeve që procesi i zgjerimit të vazhdohet, pasi është një prej proceseve më të suksesshme që ka kaluar BE-ja në historinë e saj.

Në këtë përvjetor, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të jetë komplet pa integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përmendur procesin e tashëm të zgjerimit si vazhdim i suksesit që kishte ndodhur në vitin 2004, kur në bllok u anëtarësuan dhjetë vende të reja.