Një veturë me katër persona bie në lumin Lepenc, një person është nxjerrë, po kërkohen edhe tre të tjerë
Një veturë me katër persona është aksidentuar sot në rrugën Shkup – Prishtinë, si pasojë e të cilit ka rënë në lumin Lepenc, në afërsi të tunelit.
Nga vendi i ngjarjes shihet se ka të lënduar teksa prezent janë policia dhe ndihma e shpejtë.
Për momentin janë krijuar kolona të gjata.
Nga MPB njoftojnë se në veturë kanë qenë 4 persona, njëri prej të cilëve është shpëtuar dhe është dërguar në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa kërkimet vazhdojnë për 3 persona të tjerë.
“Sot (17.06.2023) rreth orës 15:00 është raportuar se në aksin rrugor Shkup- V.K. Bllacë ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin është përfshirë automjeti i udhëtarëve “Volkswagen” me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe automjeti i pasagjerëve BMW me targa të Kosovës, i drejtuar nga N.P. nga Kosova, që pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc. Në automjetin BMW, përveç drejtuesit, ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transportuar në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa vazhdojnë kërkimet për tre personat të tjerë”, thonë nga MPB.