DiasporaMaqedoni

Një Odë e Malësisë së Tetovës në zemër të Zvicrës, përplot me qifteli e sharki

Mbrëmë isha ndërmjet Bozovcës dhe Veshallës.

Shkruan: Çun Lajçi
Idrizi, mjekër gjati, me qime të dendura dhe të thinjura, është korpulent dhe vetullat e trasha e bëjnë pak sa më të ashpër në dukje. Tamam ujk Sharri duket ky Idrizi, që jeton në Sant Galen, me gjithë Veshallën të qëndisur në zemër.

Jo, kjo i duket pak. Çohet Idrizi dhe mbi garazhin ku punon ka sajuar një Odë Malësie, ku ka futur Bozovcën, Veshallën, Brodecin e Gajren. Çiftelitë dhe sharkitë i ka varur pranë oxhakut, dhe e gjithë kjo është ndërtuar mbi veturat që ngjyros Idriz Osmani, katundari i Veshallës.

Njëherë pata fatin të jem mysafir në katundin e tij, në gusht, kur të gjithë mërgimtarët kthehen në Veshallën e zbrazur nga njerëzit. Atë ditë vallëzuam para tupanave e curlave, përqafuam thepat që rrethonin katundin e tij dhe u kthyem përsëri në Sant Galen, në vendlindjen e tij të dytë.

Dje më shkroi:
— Po vij të të marr aty ku je, që ta kalojmë një pasdite në Odën e Veshallës, e të kujtojmë gushtin e kaluar në katundin tim!
Nuk i thashë as “eja” dhe as “mos eja,” sepse ai erdhi pa pritur përgjigjen time, dhe shkuam në katundin Wil, (ku kishte lindur), mes Turgaut dhe Sant Galenit. Aty i vumë sharkitë në prehër dhe kënduam deri vonë.
Jo, unë nuk këndova, sepse më në fund zëri më ka lënë, por telat e sharkisë i cingërova unë, ndërsa Idrizi i fali zërin e tij!

Medet, sa të dashur jemi kur ndodhemi jashtë atdheut, e sa të harruar ndihemi kur gjendemi në zemrën e tij! — sikur donte të më thoshte Idrizi me tufën e mjekrës së thinjur, lindur e rritur në Zvicër, por më shqiptar se ai i Veshallës.

Sant Galen,21.12.2024