Një kujtim në prizmin e artistit muzikor me rastin 42 vjetorit të shuarjes së Jusuf Gërvallës
Shkruan: Mr.Shkodran Tolaj
18.01.2024
Jusuf Gërvalla, padyshim që paraqet një prej figurave shumëdimensionale në jetën publike shqiptare. Jeta e tij u “pre” në formën më të trishtë dhe enigmatike por misioni i tij ishte i shenjtë pavarësisht se ëndërra e tij mbeti në gjysëm….. Jusuf Gërvalla poet, gazetar kulture, aktivist ilegal dhe një artist shembullor që udhëhiqej nga motoja “Jeto ose vdis” në misionin e tij të shenjtë nuk kishte asgjë që e ndalonte përveç vdekja e cila e mori fizikisht, por e shëndërroi në model të përjetshëm të atdhetarit vizionar sepse ai nuk hezitoi të sakrifikojë veten dhe familjen në realizimin e ëndrrës së tij dhe shumë brezave, ëndrrës për një Kosovë të lirë dhe për shqiptarë të bashkuar shpirtërisht e mendërisht . Jusuf Gërvalla atdhedashurinë e kishte në gjenet e tij sepse vendlindja e tij- Deçani në të gjitha përiudhat i ka falur kombit heronjë e personalitete të rralla si vet Jusufi.
Dallimi i tij nga shumë të tjerë dallohej posaqërisht në krijimtarinë gazeareske e muzikore dhe pikërisht nga fakti se rrugëtimi i jetës, shkollimi dhe ngritja ishte e tillë që Jusufin e shëndërroi në një personalitet që ngjante në një evropian të mirëfilltë, me kulturë të lartë dhe mirësi pafund.
42 vjet pas vdekjes së tij, ai vazhdon dhe jeton bashkë me ne. Jusufit dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës iu dekikohet tash 3 dekada festivali “Flaka e janarit” në Gjilan që ka arritur të rangohet si një nga festivalet më të njohura shqiptare dhe e bukura e këtij festivali është përmbajtja dhe tematika që i orienton brezat e rinjë në njohjen e këtyre tre figurave markante si udhërrëfyes të sakrificës për atdhe.
Sot shumë shkolla mbajnë emrin e Jusuf Gërvallës dhe këndohen shumë këngë për të nga të cilat veçohet “Për ju qan janari”. Meqenëse për Jusuf Gërvallën është shkruar e kënduar, janë bërë poezi e çdo vit mbahen aktivitete, për këngët dhe shpirtin e tij prej artisti të madh është shkruar e folur pak, ndonëse shumë këngë të Jusufit janë interpretuar nga artistë të ndryshëm.
Ajo që vihet re në krijimtarinë e tij muzikore është prezenca e nënës Ajshe e cila paraqet madhështinë dhe qëndresën e gruas së hekurt shqiptare që flijohet për familje dhe ngritjen e fëmijëve. Në këtë rast do të veçoja këngën “Do të kthehem nënë” që është e kompozuar në frymë nostalgjike, në ritmin 6/8 karakteristikë e shumë këngëve arbëreshe, me përcjellje të kitarës që e shoqëronte atë vazhdimisht. Kënga ka frymën e qytetarisë së mirëfilltë dhe muzikë shumë të avancuar për kohën, që reflekton shpirtin e çiltër e të pastër të Jusufit.
Fuqia e këngës është gërshetimi i tekstit emocional me muzikën ku njëkohësisht shprehë gjendjen shpirtërore të tij në njërën anë përmes vargjeve “sa shumë më mundon vetmia o nënë” kurse në anën tjetër shprehë dashurinë për nënën të cilën e lutë që të jetojë me shpresa duke ndjerë dhembjen e saj e cila e porosiste “Kthehu shpejtë m’ke pas thënë, se brengat më kanë molisur”. Kjo këngë në repertorin e muzikës sonë mbetet ndër më të bukurat dedikuar nënës sepse është autobiografike dhe nëse do të duhej ta kategorizonim si stil, pa mëdyshje do të bënte pjesë në këngët që përkojnë me epokën e romantizmit ku autobiografia është karakteristë dalluese e asaj periudhe.
Në jetën e Jusufit, përveç nënës një rol dhe hapësirë të madhe zë bashkëshortja Suzana që ishte padyshim inspirim në kompozimet e tij. E shkolluar që në fëmijëri për balet në Shkup, Suzana Gërvalla ishte muza e tij dhe mbështetësja kryesore në rrugën artistike gjatë viteve të 70-ta kurse më vonë bashkëudhëtare në rrugëtimin e vështirë dhe misionin e shenjtë atdhetar. Kështu “Kënga e bilbilit” është ndër këngët më të bukura në fonotekën tonë. E përcjellur nga orkestra e Radiotelevizionit të Prishtinës, në strofa ka një qetësi dhe dialogim të vajzës me bandillin, kurse refreni ka shpërthime emocionale të bukurisë së vendit e natyrës. Teksti simbolik dhe kërkesat interpretative në refren ku ka një moment të ornamentit (zbukurimit me një tip glisandoje në vokal) është për tu admiruar. Sipas të gjitha gjasave “Kënga e bilbilit” është krijim që Jusufi i dedikoi të përzgjedhurës së jetës znj. Suzana. Pra, Jusuf Gërvalla krijon shpirtërisht dhe emocionalisht duke prekur esencën e jetës pa patur nevojë për iluzione e delir që i hasim tek shumë krijues që mundohen të krijojnë rrethana të paqena!
Kështu nëna, gruaja por edhe fëmijët zënë vend evident në krijimtarinë e tij dhe gjatë analizimit të gjithë repertorit të Jusuf Gërvallës më bën jashtëzakonisht përshtypje kënga dhe titulli “Këta janë fëmija” që në aspektin orkestral fillon me një dramaticitet të ndjeshëm por teksti iu dedikohet pjesës më të çiltër të shoqërisë duke i paraqitur natyrshëm se si ata ëndërrojnë, turpërohen, gëzohen e qajnë të padjallëzuar. Janë ata që sjellin shkëlqim, ata që janë dashuria e botës. Kjo këngë padyshim ka motiv dy fëmijët Premtonin dhe Donikën, ku Jusuf Gërvalla shpreh në mënyrë globale dashurinë e prindit për fëmijët të cilët jetojnë për buzëqeshjen dhe lumturinë e tyre. “Kta janë fëmija” mbetet një nga perlat e muzikës dhe një nga këngët më të bukura dedikim i prindit për fëmijë.
Një këngë krejt e ndryshme nga të gjitha të tjerat dedikuar vendlindjes që e bën Jusuf Gërvallën të veçanta është “Të kam braktisë vendlindje” që pavarësisht tekstit plot mall e nostalgji, aspekti muzikor është inovativ pikërisht nga aryeja që këtu Jusufi përzgjedh të përdorë ritëm dhe ngjyra tipike “evergreen” evropian që në vitet 70-ta ishte frymë jashtëzakonisht e popullarizuar andaj me të drejtë Jusuf Gërvalla mund të quhet krijuesi i parë i këngës dhe baladës moderne. Në të njejtën frymë është kënga “Vena e Spanjës” që na dërgon në ambiente, ritme, ngjyra tipike spanjolle që na pasqyron një anë tjetër të Jusufit kosmopolit! Teksa dëgjon tekstin dhe muzikën e kësaj kënge mund të konstatohet lehtë se revolucionari dhe i guximshmi i muzikës moderne shqiptare padiskutim është Jusuf Gërvalla.
Një tjetër krijim që vlen të veçohet e që përmban motive lirike që flet për takimin e tij të dashurisë e thurur në ritmin 6/8 është kënga “Maji” në të cilën identifikohen dhe modulacione dhe një ndërtim jashtë kornizave statike të një kënge strofë- refren andaj konsiderohet si një nga baladat më tipike të kirjimtarisë së Jusuf Gërvallës. Kryevepër në krijmtarinë e tij, padiskutim mund të konsiderohet “Njeri ku je” ku aftësia kryesore e Jusufit është bashkëdyzimi i një teksti tejet poetik me melodinë. Në analizë të tekstit duket tejet i ngarkuar për ta përshtatur në këngë por aftësia e thurjes së një poezie të tillë tipike me përmbajtje të ngarkuar, me melodinë në ritmin 6/8 e bën këtë këngë dhe vet tekstin të kapshëm, ndonëse kjo dhe shumë këngë tjera, janë të destinuara për një kategori publiku elitor. Nga e gjithë krijimtaria muzikore e Jusuf Gërvallës mund të konstatojmë se ai nuk krijoi kurrë art për masën, megjithatë, si kantautor arriti që të jetë i pranishëm në vitet 70-ta tek një publik i gjerë dhe një numër i madh i spektatorëve që e admironin artin e tij.
Është e një rëndësie të posaçme kirjimtaria e tij për Nexhmije Pagarushën, respektivisht kënga “Kaptina e fundit e romanit” që në viti 1970 u vlerësua me çmim të parë në festivalin “Akordet e Kosovës”.
Ky shkrim dhe ilustrimi i një pjese të këngëve të Jusuf Gërvallës vjen si vërtetësi që zëri i tij jehon pas 42 vitesh duke e sjellur atë çdoherë të ri dhe vetëm 39 vjeçar. Jusuf Gërvalla ishte poet i shkëlqyeshëm që poezinë e fuqizoi me nota muzikore kurse si interpret kishte një ëmbëlsi në që rrallë e hasim tek ndonjë interpret tjetër. Jusufi nuk kishte pretendime të tregohej këngëtar i madh. Ai këngën e kishte shpirtërore andaj arti i tij është i natyrshëm, real dhe pa sforcime sikurse dashuria për nënën, vendlindjen e fëmijët!
Jusuf Gërvalla si kantautor padiskutim hapi një kaptinë të re në muzikën kosovare duke krijuar bazament të këngës dhe interpretimit modern.