Kosovë

Një grupi kriminal serb me emrin “Brigadat e Veriut” po ‘terrorizon’ serbët në veri të Kosovë

Targat e Republikës së Kosovës u bënë shkak që në këtë vend në Leposaviq t’i digjej tërësisht vetura qytetarit Nikola Colakoviq.

“Në qendër të Leposaviqit ndodhet lagjja në të cilën një personi iu dogj vetura, pasi i ktheu targat nga ilegale në legale RKS”.

Rasti ka ndodhur në ora katër të mëngjesit, përderisa policia ka njoftuar për këtë ndodhi në raportin 24 orësh.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin veturës së tij. Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”.

Ky nuk është rasti i parë që serbët të cilët zëvendësuan regjistrimet e automjeteve, u sulmuan.

Madje, fatkeqësi të njëjtë përjetuan edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Një situatë e tillë ua ka vështirësuar goxha shumë jetën qytetarëve të rëndomt serb që jetojnë në veri, veçanërisht në kohën kur afati për konvertimin e targave po mbaron.

Një gjë të tillë e pohon edhe analisit serb Branislav Krstiq.

“Djegia e veturave është vetëm një pasqyrë e asaj që serbët po përjetojnë këtu. Më kryesorja është që mafia e cila po sulmon ata persona që po regjistrojnë veturat nga targat KM në targa RKS, e kanë marrë urdhërin nga kabineti i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Krstiq.

Ndërkohë, gjatë ditës, kryetari i Listës Serbe dhe ministri në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, paralajmëroi se në rast se nuk ka tërheqje të vendimit për targat nga institucionet kosovare, atëherë do të ketë bllokim të rrugëve në veri.

Një situatë të tillë nuk e përjashton as eksperti i sigurisë, Kadri Kastrati.

“Unë nuk e përjashtoj edhe ndonjë ekses, sepse ata dëshirojnë që të derdhet gjak atje, ata dëshirojnë që Rusia, përmes satelitit të saj Beogradit, dëshiron që Ballkanin ta mbajë të tensionuar, ta largoj vëmendjen nga Ukraina”, ka theksuar Kastrati.

Por, cilët janë mekanizmat që po i përdorë Beogradi për të nxitur tensione e shkaktuar incidente në Veri të Kosovës.

Burime brenda organeve të sigurisë, kanë bërë me dije për RTV Dukagjinin se gjithë veprimtarit kriminale në veri janë duke i kryer një grup i strukturuar kriminal me që tani ka emrin “Brigada e Veriut”.

Tani kur afati i konvertimit të targave ilegale në ato RKS po shkon drejt fundit, ky grup kirminal ka shtuar aktivitetin e tij.

Numri i pjesëtarëve të këtij grupi varion varësisht situatës, ndërsa përbërja e tij është nga persona të cilët kanë precedente të mëhershme penale, e të cilët i janë shmangur drejtësisë kryesisht në Serbi.

Po këto burime brenda organeve të sigurisë kanë bërë me dije se këta persona në një formë shantazhohen nga Serbia, për të kryer veprimtari kriminale në Kosovë.

Pos kësaj, burime shumë të besueshme nga organet e sigurisë, kanë bërë me dije se i gjithë ky grup udhëhiqet nga Milan Radojciq, një i kërkuar nga drejtësia në Kosovë e poashtu i futur edhe në Listën e Zezë të SHBA-së.

I njëjti gëzon përkrahje të madhe nga presidenti serb Aleksandër Vuciq. /telegrafi.com/