June 30, 2024
Maqedoni

Nikolla Popovski kandidat për kryetar që mund të bashkon fraksionet në LSDM?

Themelues dhe anëtarë të shquar të LSDM-së, njerëz nga e ashtuquajtura “periudhë e artë e kësaj partie”, po mundohen të fitojnë mbështetje për idenë që ish-ministri i Financave Nikolla Popovski të jetë kandidati i vetëm për kryetar të partisë, mëson Plusinfo.

– Pas disfatës së rëndë elektorale, partia u zhyt në përplasje të brendshme fraksionale. Fraksione të ndryshme partiake, të udhëhequra nga krahu i Zoran Zaevit, po punojnë shumë për të marrë LSDM-në.

Ne besojmë se zgjidhja e kësaj krize është që e gjithë partia të bashkohet rreth një figure me cilësi të dëshmuara, si partiak, ekspert dhe si person, për të cilin askush nuk mund të thotë se është i korruptuar apo i kompromentuar. Një person i tillë është Nikolla Popovski”, kanë phuar burime partiake, duke shtuar se ai dhe një grup anëtarësh të shquar të LSDM-së tashmë kërkojnë mbështetje në bazën partiake për idenë e tyre.

Nikolla Popovski për momentin nuk e ka komentuar këtë ide, sepse nuk është propozuar zyrtarisht apo vetëkandiduar.

Nikolla Popovski është ekonomist. Nga viti 1992 deri në vitin 2002 ka qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
Nga 3 tetori 2002 deri më 7 nëntor 2003 ka qenë kryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Më 7 nëntor 2003 u bë ministër i Financave në qeverinë e atëhershme të Branko Cërvenkovskit. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, ai u zgjodh deputet dhe qëndroi në atë detyrë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2008.

Nga shkurti i vitit 2009 punon në Universitetin Evropian në Shkup, si profesor në lëndët Ekonomia e zhvillimit dhe Sigurimet shëndetësore dhe sociale.

Ndryshe, dje filloi, por nuk përfundoi Kongresi llogaridhënës i LSDM-së, i cili është anuluar me kërkesë të organizatave komunale, shkruan Zhurnal.
“Për shkak të materialit voluminoz të Raportit që përfshin pjesën politike, operative dhe analitike, organizatat komunale të LSDM-së kanë kërkuar kohë që ta analizojnë, të prononcohen dhe të japin kontributin e tyre, në nivel të shtabeve zgjedhore komunale dhe në nivel të organizatave komunale në versionin përfundimtar të Raportit për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024”, thanë nga LSDM-ja.
Data e re e vazhdimit të Kongresit llogaridhënës të LSDM-së do të varet nga prononcimi i organizatave komunale.