Ngjarje e rëndë në Nigeri, u rrëmbyen më shumë se 280 fëmijë
Persona të armatosur rrëmbyen më shumë se 280 fëmijë nga një shkollë në qytetin nigerian Kuriga, menjëherë pas fillimit të mësimit. Nxënësit ishin jashtë shkollës në momentin kur dhjetëra motoristë të armatosur u afruan pranë, kanë treguar dëshmitarët.
Prindërit dhe banorët e qytetit besojnë se arsyeja e rrëmbimit është siguria e pamjaftueshme. Nxënësit ishin mes moshave 8 dhe 15 vjeç. Bashkë me nxënësit raportohet se është rrëmbyer edhe një mësimdhënës.
“Biseduam me prindërit e atyre fëmijëve që u rrëmbyen. Ne ua kemi bërë të qartë atyre se një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të Qeverisë është të sigurojë që ne të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve tanë.”, – theksoi guvernatori i shtetit, Kaduna Uba Sani.
“Mësuesja që drejtonte asamblenë e shkollës u rrëmbye. Një roje sigurie u vra gjithashtu teksa po përpiqej të trembte personat e armatosur duke qëlluar në ajër.”, – u shpreh banori në Kurigë, Abdullahi Bello.
“Ju lutemi ejani dhe na ndihmoni, mos na lini. Nuk kemi ngrënë. Ju lutemi na ndihmoni. Ku është presidenti? Ku është guvernatori? Shtatë fëmijë janë rrëmbyer në një familje, ndërsa pesë fëmijë janë rrëmbyer në një familje.”, – tha një banor i Kurigas.
Grupet kidnapuese, të njohura si banditë, kanë kapur qindra njerëz në vitet e fundit, veçanërisht në veriperëndim. Pak ditë më parë, Boko Haram rrëmbeu dhjetëra gra dhe fëmijë në Nigerinë verilindore teksa po mblidhnin dru zjarri.