Ngec hetimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës
Rreth dy muaj pas zjarrit në spitalin e Tetovës ku u dogjën të gjallë 14 persona, ende nuk ka kurrfarë përgjegjësie. Prokuroria ende rastin e ka në fazë para-hetimi. Arsyeja e vetme e thënë deri tani është se zjarri është shkaktuar për shkak të kabllos zgjatuese. Nuk ka mbërritur ende as raporti i ekspertëve gjerman. Ekspertët gjerman ka mesi i shtatorit bënë hetime në spitalin e djegur, ndërsa raporti i tyre, sipas premtimeve të atëhershme të kryeministrit Zaev, do të arrijë pas dy javëve.
“Në Prokurori pritet të mbërrijnë raportet nga ekspertizat e urdhëruara, përfshirë ekspertizën e ekspertëve nga Gjermania. Pasi të mblidhen provat materiale dhe verbale, prokurorët do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë, do të konstatohet nëse dhe ku ka përgjegjësi penale, pas çka do të vendoset për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”.
Edhe pse për pas zgjedhjeve lokale vetë kryeministri Zaev paralajmëroi drejtorë të ri në spitalin e Tetovës, deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
“Pres që në nëntor, një muaj pas zgjedhjeve, raundi i dytë përfundon më 31 tetor, të emërohen drejtuesit e ri”, deklaroi Zoran Zaev.
Por edhe sot e kësaj dite me spitalin klinik të Tetovës menaxhojnë dy drejtorët e dorëhequr, Florin Besimi dhe Artan Etemi. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, të cilit Zaevi nuk ia pranoi dorëheqjen, ende nuk ka emëruar të rinj. Prokuroria e Krimit të Organizuar po heton spitalet modulare. Konkretisht, kjo prokurori është interesuar për mënyrën e ndërtimit të tyre, por deri më tani nuk ka evidentuar ndonjë parregullsi.